E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: 11 maji dita kur demokratët duhet të votojnë Shqipërinë në BE

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot një takim elektoral me qytetarët në qarkun e Kukësit. Gjatë fjalës së tij, kreu i PS-së i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si historike për procesin e integrimit të vendit drejt Bashkimit Europian.

Rama tha se BE i ka hapur derën Shqipërisë dhe tashmë ne duhet të mos e humbasim trenin e historisë.

“Duke kaluar nga Kukësi tek Shqipëria duke u thënë të gjithëve ju këtu, atyre që nuk janë këtu, që nuk e besojnë se 11 maji nuk është një zgjedhje si të gjitha të tjerat, më 11 maj nuk është dita për t’u marrë me fanellat e partive me ngjyrat partiake me historitë e së kaluarës, por është dita për të marrë një vendim që lidhet me fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është dita që demokratët të bëjnë atë që të tjerët që nuk ishin mbështetës të PD-së bënë më 22 mars të 1992 kur votuan për PD pavarësisht e nuk ishin mbështetës të PD-së”, tha Rama.

“Zgjedhjet e marsit nuk ishin zgjedhje thjesht kush do të qeverisë dhe kush do të shkojë në opozitë, ishin zgjedhje ku shqiptarët kishin vendin e duhur dhe ishin në vendin e duhur për të vendosur të mbyllnin një histori të gjatë me një sistem të vjetër dhe të hapnin një shtroi të re me një sistem të ri dhe shqiptarët e bën këtë gjë. Në vitet e tjera Shqipëria ka pasur shumë zgjedhje, por ama kjo e 11 majit është e dyta herë nga 1990 që shqiptarët shkojnë në zgjedhje, ndërkohë që zgjedhin një subjekt apo subjekt tjetër, marrin një vendim për historinë. A do të hyjmë në BE brenda kësaj dekade apo do të humbasim mundësinë historike që kemi para syve, sepse i ka hapur derën Shqipërisë, na ka vënë para një plan konkret për të mbyllur negociatat brenda 2027 dhe na ka thënë nëse jeni në gjendje të përmbushni të gjitha kërkesat brenda 2027 ne jemi gati të firmosin dhe pastaj Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE-së”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se “me Shqipërinë që hyn në BE mbaron një mision kombëtar që nismën e vet nuk e ka në vitin ’90, por e ka në kohën kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu ndërtoi barrikadën për të na lënë një profeci historike ai si profeti i historisë sonë për të na thënë se vendi ynë si komb dhe popull është në Perëndim dhe jo në Lindje, qysh atëherë kaluan shekuj dhe rilindësit e kthyen këtë profeci si amanet të shkruar i cili përmblidhet edhe me atë shprehjen e famshme “Për në shqiptarët dielli lind andej nga perëndim””.

Rama theksoi më tej se “qysh se ka nisur historia e transformimit demokratik të Shqipërisë ne kemi dashur të hyjmë në BE çdo ditë por kjo sot është hera e parë që BE jo vetëm me fjalë por edhe hap konkret na ka hapur derën dhe na ka thënë po të jeni të zotët kapërceni pragun dhe ejani dhe bëheni pjesë e jona”.

“Treni i historisë na ka ndalur para syve, këtë herë ne i kemi të gjitha mundësitë ta shikojmë trenin ta marrim dhe të gjithë fëmijëve që janë në këtë qytet sot t’i bëjmë gjënë më të madhe që mund t’i bëjmë ata nuk kanë mundësinë të votojnë, por kush voton voton dhe për fëmijët që nuk kanë mundësi të votojnë. Mos shko të votosh si tifoz por për interesin e fëmijës tënd. Kur voton si tifoz ja jep votën kënetës për Kukësin dhe e lë Kukësin në atë derexhe që e gjetëm kur morëm detyrën. Kur voton për interesin e fëmijës ti voton për atë që të bën më të bukur qytetin ku e rrit fëmijën tënd”,  tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›