E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Paketa e maleve e mori shtysën ekzaktësisht nga qarku i Kukësit, i jep hov zhvillimor turistik

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “qarkun e Kukësit do ta bëjmë një nga qarqet më turistike të Shqipërisë”.

Në fjalën e tij gjatë një takimi elektoral me qytetarët e qarkut Kukës, Rama tha se “për qarkun e Kukësit ne kemi marrë nismën që do t’i shërbejë gjithë Shqipërisë, por është një nismë që e ka marrë shtysën ekzaktësisht nga qarku i Kukësit dhe dëshira dhe ambicia për t’i dhënë një hov zhvillimor këtij qarku duke e bërë një nga qarqet më turistike të Shqipërisë, Paketën e Maleve”.

“Sot ne kemi një zhvillim që askush nuk e mohon dot që është zhvillimi turistik i Tropojës. Njësoj si Kukësi edhe Tropoja ishte një vend absolutisht i zhytur në zymti kur ne morëm detyrën. Kur thoshim në Tropojë këtu do zhvillojmë turizmin askush nuk besonte dhe nuk kishin faj që nuk e besonin se për shume vite i besuan dikujt nga ata të vetët dhe nuk panë asgjë të hajrit. Sot Tropoja është në hartën turistike të Shqipërisë dhe po ashtu Hasi. Hasi është një tjetër pjesë e rëndësishme e këtij qarku që është koha të hyjë në hartën turistike të Shqipërisë”, nënvizoi Rama.

Duke folur se çfarë mbetet për t’u bërë gjatë mandatit të katërt, Rama tha se “ne e dimë shumë mirë që këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm qoftë në aspektin e natyrës, të mundësive për investim falë shumë familjeve që kanë emigruar, kanë punuar fort dhe kanë akumuluar kursime, por midis natyrës dhe dëshirës së këtyre familjeve për t’u kthyer për ta rindezur oxhakun e gjyshit, stërgjyshit qëndron prona”.

“Për shkak se në shumë pjesë të këtij qarku dhe në disa pjesë të tjera të Shqipërisë nuk është pranuar ligji 7501 ndarja e pronës është bërë duke u kthyer në kufijtë e vjetër. Ka dakordësi mes njerëzve ku mbaron prona imë ku fillon jotja por nuk ka mbështetje mbi bazën ligjore të Republikës së Shqipërisë për ta marrë e gëzuar e investuar atë pronë”, tha Rama.

Paketa e maleve, vijoi Rama, është një korsi me shpejtësi të lartë për të arritur të investosh pavarësisht se të mungojnë letrat e pronës.

Më tej Rama u ndal tek hapat që qytetarët duhet të kryejnë për të marrë pronësinë e tokës së tyre, teksa theksoi se “aplikimet do të hapen pas zgjedhjeve dhe për 500 aplikimet e para që do të aprovohen nuk do të ketë asnjë taksë për 10 vjet”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›