E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Në 11 maj shumicë më e madhe se kurrë për t’i dhënë mesazh BE-së se vendi ynë është aty

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot se hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një detyrim ndaj brezave të ardhshëm dhe një çështje e rëndësishme kombëtare që tejkalon interesat partiake.

Në takimin elektoral me qytetarë të qarkut të Kukësit, ai theksoi se hyrja në BE nuk është çështje e fushatës për një mandat tjetër të Partisë Socialiste apo për ndonjë interes personal, por një domosdoshmëri për të ardhmen e vendit.

“Kjo nuk është një fushatë për karrigen time apo për një mandat tjetër të PS, apo një tjetër mandate qeverisës. Sepse në të gjitha sondazhet në medie, edhe ato që nuk lënë gjë pa thënë kundër nesh, del se PS fiton zgjedhjet e 11 majit. Kjo është një thirrje që shqiptarët të bëhen shumicë më e madhe se kurrë më parë për të dhënë një fuqi të re vendimmarrëse,” u shpreh kryeministri.

Rama vuri në dukje se negociatat për anëtarësim janë një proces i thellë, ku 1 mijë profesionistë shqiptarë po punojnë çdo ditë për të harmonizuar ligjet dhe standardet me ato të BE-së.

“Janë mbi 1 mijë vetë nga pala jonë, shumica vajza dhe gra, të ulura çdo ditë në tavolinë me Bashkimin Evropian për të dakordësuar rregulla, ligje dhe standarde në çdo sektor, nga drejtësia te ekonomia dhe mjedisi. Janë mbi 250 mijë faqe dokumentesh që duhet t’i kthejmë në ligje, vendime e masa konkrete,” shtoi ai.

Sipas kryeministrit, viti 2027 është një afat kyç për Shqipërinë.

“Na është dhënë afati deri në vitin 2027 për të përmbushur detyrimet tona. Nëse nuk i përmbushim, nuk do të mund të hyjmë në BE. BE nuk është një derë që qëndron gjithmonë e hapur. Ajo hapet vetëm kur 27 shtete Brenda BE-së bien dakord të hapin derën dhe ata e hapin derën vetëm kur kanë interes dhe sot ka ndodhur ajo që kam kaq vite që luftoj, që nuk është vetëm interesi ynë, por edhe i atyre. Por ama, ajo derë mbyllet nëse nuk plotësojmë kushtet”, tha Rama.

Sipas tij, një shumicë më e fortë politike do të ndihmonte për të mos humbur kohë në zbatimin e reformave.

Kjo është arsyeja pse më 11 maj kemi nevojë për një fuqi të veçantë, vijoi Rama, që të mos humbasim trenin e historisë.

“Për këtë na duhet fuqia dhe Europa ta dëgjojë se një shumicë më e madhe se shumica që ka mbështetur historikisht PS është bashkuar për ti thënë BE-së boll më, ne duam të ulemi aty ku është vendi ynë në atë shtëpi”, deklaroi ai.

Është fatkeqësi, vijoi Rama, nëse prindërit e fëmijëve të shkojnë në votim, t’i harrojnë këto dhe të hedhin votën në kënetë. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›