Rama: Së shpejti Kuvendi Kombëtar i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se së shpejti do të mbahet Tryeza Kombëtare e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Në fjalën përmbyllëse të Ditës së Parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, një aktivitet që mblodhi së bashku fermerë dhe sipërmarrës në sektorin bujqësor, Rama theksoi rëndësinë e ndërtimit të një ure të re komunikimi në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.
“Besoj se, duke marrë edhe përvojat dhe sugjerimet nga tryeza të tjera, do të kemi një dokument me rekomandime paraprake, që do të shërbejë si bazë për organizimin e një Kuvendi Kombëtar të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ky nuk do të jetë vetëm një forum për të dëgjuar, por edhe për të marrë angazhime konkrete”, u shpreh Kryeministri.
Rama nënvizoi se është koha për ta parë ndryshe qeverisjen dhe zhvillimin, duke i dhënë prioritet angazhimit të drejtpërdrejtë të aktorëve në sektor, dhe jo vetëm mbështetjes përmes subvencioneve apo taksave.
“Ne jemi në kushtet, në kohën dhe mundësitë për ta parë ndryshe qeverinë dhe qeverisjen dhe ta shikojmë ndryshe potencialin që ka vendi në çdo drejtim, ku duhet të zgjerojmë kapacitetet tona të pjesëmarrjes në procesin e zhvillimit, pasi nuk mund të jetë procesi i zhvillimit vetëm taksa, buxhet, subvencione dhe kërkesa nga buxheti. Këto janë një pjesë e gjësë, ne na duhet që çdo lek që hedhim nga buxheti i shtetit ta kthejmë në fitim për ekonominë e vendit, duke vënë në shfrytëzim potencialet që kemi”, tha Rama.
Ky proces, sipas tij, kërkon bashkëpunim institucional, përfshirje të ekspertizës akademike dhe një vizion të qartë për zhvillimin afatgjatë të bujqësisë shqiptare.
/a.f//r.e/