E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Standardet e BE-së për riciklimin të larta, përdorim të teknologjisë për monitorimin e mbetjeve

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, theksoi sot se standardet e Bashkimit Evropian për mjedisin dhe riciklimin janë të larta dhe kërkojnë një periudhë kohore për t’u arritur.

Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të vogël në Shkodër, Rama iu përgjigj kërkesës për mbështetje në ngritjen e infrastrukturës së grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve, duke theksuar se kjo industri përballet me vështirësi për t’u zhvilluar.

“Kjo është një industri që përballet me vështirësi për t’u ngritur. Në momentin që ne mbyllim negociatat për kapitullin e mjedisit çdo gjë që ka të bëjë me mbetjet dhe riciklimin është në majë të prioriteteve të BE-së”, tha Rama

Kryeministri theksoi gjithashtu se çdo investim në këtë fushë do të marrë vlerë dhe vëmendja e nevoja e bashkive e qeverisë për t’u mbështetur te kjo kategori biznesi do të jetë e madhe.

“Standardet e BE-së për mjedisin dhe riciklimin janë të larta, por ato kanë edhe kosto. Ne po kërkojmë një periudhë 10-vjeçare, siç ka bërë Kroacia, për të arritur këto standarde,” tha Rama.

Kryeministri shpjegoi se, për shembull, pas kësaj periudhe, materiale të tilla si kartoni, qelqi dhe plastika do të mund të riciklohen, dhe qytetarët do të rimbursohen për këto materiale që do të kthejnë.

Përveç kësaj, Rama informoi se po punohet për implementimin e teknologjive të avancuara për monitorimin e mbetjeve.

“Në fushën e mbetjeve po punohet me programe të teknologjisë, duke kombinuar satelitët me dronët për të gjitha problematikat e mbetjeve në territor. Me sistemin e ri të survejimit me kamerat inteligjente të rrugëve dhe qyteteve, një pjesë e programit është hedhja e mbetjeve jashtë vendit ose çfarëdolloj loje që bëhet me mbetjet edhe nga kompanitë e grumbullimit”, deklaroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›