Rama: Taskforcë për menaxhimin e mbetjeve në zonat turistike

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive në kuadër të turit për “Punët e Shqipërisë”.
Gjatë takimit kryeministri theksoi nevojën për ngritjen e nivelit të emergjencave civile në rrafshin vendor.
Rama u shpreh se, ministri i Pushtetit Vendor, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, janë ngarkuar të bashkëpunojnë me bashkitë për të fuqizuar kapacitetet vendore në përballimin e emergjencave civile.
Po ashtu, kryeministri u shpreh se, qeveria është duke punuar për të rishikuar sistemin e mbledhjes së mbeturinave.
Rama theksoi se, përveç përpunimit të mbetjeve, problem mbetet menaxhimi i mbeturinave, sidomos gjatë sezonit turistik në zonat jashtë qendrave urbane.
Për këtë qëllim, ai nënvizoi domosdoshmërinë e ngritjes së një taskforce mes qeverisë dhe pushtetit vendor.
“Ministri i Mjedisit dhe ministri i Pushtetit Vendor janë ngarkuar të hartojnë një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, duke nisur nga sensibilizimi masiv e deri te masat konkrete që duhet të ndërmerren”, tha Rama.
/gj.m/a.f/