E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-opozitës: Sa më shumë t’i merrni shqiptarët për budallenj, aq më e madhe disfata në zgjedhje

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, duke replikuar me opozitën në Kuvend lidhur me çështjen e pagave të magjistratëve u shpreh se shqiptarët nuk janë budallenj dhe se sa më shumë opozita i merr për të tillë, aq më të madhe do ta ketë disfatën në zgjedhje.

Bardhi kundërshtoi qëndrimin e Ramës lidhur me çështjen e arbitrazhit, duke deklaruar se fillimisht kryeministri kishte thënë se nuk kishte një vendim arbitrazhi dhe më pas se subjekti në fjalë nuk kishte marrë para nga buxheti i shtetit.

Në replikë me Bardhin, Rama tha se “Churchill thoshte që hajvani është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendje, por nuk ndryshon as argument. Unë jam këtu prezent, me zërin tim: Unë thashë që ai (Francesco Becchetti) ka marrë dhe ka për të marrë zero lekë. Unë thashë ka marrë zero lekë, fondi është një fond i ngrirë deri në fund të procesit. Sot, pikërisht sepse çështja e arbitrazhit nuk u mbyll, sikundër ëndërronte ai subjekt, jemi në disa procese dhe zero lekë janë marrë dhe zero lekë do të merren”, vijoi Rama.

“Për sa i përket 34 milionë eurove, kjo është një përpjekje shumë e vjetër që ka të njëjtin rezultat: rrokanisje pafund të kokës së shqiptarëve dhe, në fund, ballit nga shqiptarët sa vijnë zgjedhjet. Dhe përsëri shqiptarët do t’ua japin ballit për këto që bëni”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur kritikave të deputetit të opozitës Blendi Himçi për këtë çështje, Rama tha se qeveria e njeh vendimin e arbitrazhit dhe se pikërisht për këtë arsye e ka kundërshtuar atë në instancat përkatëse.

“Unë e njoh vendimin e arbitrazhit dhe pikërisht pse e njoh e kemi sulmuar në të tjera instanca. Dhe nëse do ishte siç thoni ju, që unë po them nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, në kaq vite ai vendim do ishte ekzekutuar dhe paratë, e shtetit shqiptar do ishin marrë. E vërteta është që ai vendim nuk është ekzekutuar, sepse ne jemi në disa procese. E kemi kontestuar në rrugët që kemi gjetuar dhe deri tani subjekti jo vetëm nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe nuk ka për të marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në një telash shumë të madhe me Republikën e Shqipërisë, sepse nga një kundërshtar në arbitrazh është subjekt i të drejtës penale, qoftë këtu, qoftë dhe jashtë”, tha Rama.

Rama tha gjithashtu se paratë e bllokuara janë në një fond të ngrirë dhe se do të preken vetëm pas përfundimit të proceseve dhe sqarimit të çështjes.

“Paratë e bllokuara, të AlbControl-it janë në një fond të ngrirë dhe do të preken vetëm kur të mbarojë sqarimi i çështjes. Dhe ndërkohë po ju përsëris se vetë SPAK-u ka ndërhyë  aktivisht në këtë çështje, pikërisht sepse ne, që në krye të herës kemi qënë shumë të qartë dhe unë jua kam thënë që mos e tallni dhe mos e merrni për budalla popullin shqiptar, duke i treguar se ikën 100 milionë, ikën 450 milionë, ikën 45 milionë, ikën 70 milionë, sepse po qe puna për llogari, siç i bën ky popull, nuk i bën njeri. Dhe prandaj aq mirë e llogarit dhe sa vleni ju, sa që në çdo zgjedhje ua ul çmimin edhe ju ka bërë si rroba të gabit. Kështu jeni bëri ju në politikën shqiptare, rroba të gabit”, deklaroi Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›