Rama: Viti 2025 mbyllet me rritjen ekonomike 3,9%, nga janari paga minimale 500 euro

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti që po mbyllet ka qenë një ndër më pozitivët për ekonominë shqiptare, me tregues inkurajues në disa sektorë kyç.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, të mbajtur në Kryeministri, Rama u shpreh se ekonomia pritet të mbyllet me një rritje prej 3,9%, ose pothuajse 4%, duke e cilësuar këtë si një nga performancat më të mira në rajon dhe në kontinentin europian.
Sipas tij, bizneset e reja janë shtuar me rreth 20% gjatë 11-mujorit të vitit 2025, ndërsa investimet e huaja kanë shënuar rritje mbi 10% vetëm në tremujorin e tretë të vitit. Po ashtu, stoku i investimeve të huaja rezulton më i lartë me mbi 10% krahasuar me një vit më parë.
Kryeministri bëri të ditur se paga mesatare në tremujorin e tretë ka arritur në 833 euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme.
Ai njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim hyn në fuqi ligji për pagën minimale, e cila do të shkojë në 500 euro dhe do të prekë një numër të konsiderueshëm punonjësish si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror.
Sipas Ramës, për një periudhë 9-mujore, kontributet për këta punonjës do të mbulohen nga punëdhënësit.
Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 9/gj.m/j.p/r.e/