E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama dhe Costa, letër udhëheqësve evropianë: Samiti i Tiranës, platformë vendimtare për të thelluar bashkëpunimin

BRUKSEL, 14 maj /ATSH/ Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u kanë drejtuar një ftesë të përbashkët udhëheqësve nga BE-ja, atyre nga rajoni ynë dhe me gjerë që marrin pjesë në samitin e të 6-të të Komunitetit Politik Evropian që mbahet të enjten dhe premten në Tiranë.

Në letrën e përbashkët publikuar krahas agjendës së Samitit, Costa e Rama, shprehen se Evropa po përballet me një moment historik, të shënuar nga sfida të shumanshme dhe komplekse.

“Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon, pasojat e saj shtrihen shumë përtej kufijve të Ukrainës duke tendosur sigurinë tonë dhe duke vënë në provë qëndrueshmërinë tonë kolektive. Në të njëjtën kohë, ekonomitë tona përballen me rreziqe të reja të fragmentimit duke minuar modelet ekonomike dhe duke vënë në provë aftësinë tonë për të ruajtur rritjen, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë. Migrimi i parregullt dhe instrumentalizimi i tij mbeten një sfidë e rëndësishme duke ndërlikuar përpjekjet për të siguruar lëvizshmëri të sigurt dhe të rregullt dhe për t’u marrë me mungesat e fuqisë punëtore”, thuhet në letër.

Në këtë kontekst të rëndësishëm, vijojnë Costa dhe Rama, kemi nderin t’ju ftojmë në Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, më 16 maj 2025, me temën ”Evropa e Re në një Botë të Re: Uniteti-Bashkëpunimi-Veprimi i Përbashkët”.

Duke u bazuar në progresin e samiteve të mëparshme, në letër theksohet se Samiti i Tiranës do të ofrojë një platformë vendimtare për të rritur dialogun dhe për të thelluar bashkëpunimin.

Ata apelojnë që “ne duhet t’i shndërrojmë sfidat e përbashkëta në mundësi për të çuar përpara objektivat tona të përbashkëta”.

Samiti do të fillojë me një seancë plenare të fokusuar në sigurinë dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Evropës, e ndjekur nga tre tryeza tematike, Siguria e Evropës dhe Forcimi i Rezistencës Demokratike, Një Evropë për 600 milionë qytetarë: Rritja e Konkurrueshmërisë dhe Sigurisë Evropiane nëpërmjet Inovacionit dhe Rezistencës si dhe Një Evropë e Hapur me Kufij të Sigurt: Adresimi i Sfidave të Lëvizshmërisë dhe Nxitja e Fuqizimit të të Rinjve.

Samiti do të kulmojë me një seancë plenare përmbyllëse gjatë së cilës bashkëkryetarët e tryezës së rrumbullakët do të prezantojnë përfundimet e seancave të tyre përkatëse.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›