Basha: Mbështesim SPAK për t’i dhënë fund korrupsionit dhe varfërisë

TIRANË, 23 prill /ATSH Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha zhvilloi takime në tregun tek ish-Uzina Dinamo në Tiranë me qytetarë dhe tregtarë të zonës.
Basha tha se plaga më e madhe e korrupsionit është largimi masiv i rinisë pa u kthyer më.
Sipas Bashës, e vetmja zgjidhje është mbështetja totale e SPAK në luftën kundër të korruptuarve, që lekët të shkojnë në xhepat e qytetarëve.
Për këtë, Basha më tej tha se e vetmja garanci është vota për numrin 4 dhe Koalicionin Euroatlantik.
“Plaga më e madhe është largimi i rinisë. Është pasojë e korrupsionit. Që të ikësh me marrë diçka edhe të kthehesh është normale. Të ikësh për mos t’u kthyer më, kjo është pasojë e korrupsionit. Është largim masiv, është zbrazje vendi. Do që të shkojnë të gjithë të korruptuarit në burg. Japim mbështetje totale për SPAK-un”, tha Basha.
Basha më tej prezantoi nga afër disa nga pikat e programit që janë: 9% taksë e sheshtë; 9% tatim mbi të ardhurat personale, mbi minimumin jetik (pagat nën minimumin jetik – 0 tatim); 9% tatim mbi fitimin për biznesin (përjashtohet biznesi i vogël); 0 taksa për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë të reja xhiro në vit; detyrimet ndaj pushtetit lokal do të jenë jo më shumë se 1% e xhiros vjetore; dliminimi i kontrolleve tatimore për bizneset e vogla.
Sipas tij, do të lehtësohen qytetarët dhe sipërmarrjen nga politikat dhe burokracitë mbytëse të qeverisjes 12-vjeçare. /j.p/