Rama me bizneset në Velipojë: Airbnb e përhapur, por ende nuk cenon hotelet

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Kryeministri njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë takimit me përfaqësues të bizneseve në Velipojë, zhvilluar në aksin turistik që e lidh me Shëngjinin, iu përgjigj pyetjeve në lidhje me dhënien e banesave me qira me Airbnb në mënyrë që të mos cenohen hotelet dhe të ardhurat të shkojnë në buxhet.
Ai u shpreh se ende nuk ka plan masash në lidhje me këtë çështje pasi Airbnb nuk ka filluar të cenojë hotelet.
Në fjalën e tij, Rama tha se “e kemi nisur me rreth 1 milion turistë ku ne dimë se 95% kanë qenë patriotë që kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, vende të tjera, emigrantë që ktheheshin për turizëm patriotikë”.
Rama shtoi se sot “kemi 5 miliardë euro të hyra në ekonomi që është një shifër e jashtëzakonshme”.
Kryeministri pohoi se të ardhurat e deklaruara të biznesit formal janë dyfish nga të ardhurat e banesave të dhëna me qira.
“Është plot kudo, Tirana është plot dhe janë para ekstra për familjet, të cilat nuk deklarohen askund. Ne kemi qenë të vetëdijshëm për këtë dhe nuk kemi dashur të hyjmë akoma në këtë pjesë për një arsye të thjeshtë se nuk i kemi akoma kapacitet hoteliere, që të mund të fillojmë shtrëngimin në anën tjetër dhe sado që Airbnb është e përhapur nuk ka filluar të cenojë hotelet. Hotelet mbeten plot në sezonin kur Airbnb merr pjesën më të madhe”, nënvizoi Rama.
Por, shtoi Rama, tanimë kemi planifikuar ndërhyrjen që do ta nisim me qetësi e butësi.
“Eksperienca na ka mësuar se aty ku bëhet fjalë për të marrë pjesën e shtetit nga privati është më e mirë qasja konstruktive dhe qasja mirëkuptuese se sa presioni që bën më shumë dëm se sjell të ardhura për hir të së vërtetës”, vijoi Rama duke u ndalur edhe tek marrëveshja e re që i propozohet biznesit.
“Kemi filluar me këtë marrëveshjen me gjithë hotelet. 65% është një shifër qesharake me çfarë keni ju në pikun e sezonit, domethënë është shumë më pak, por ama ne jemi shumë të lumtur që ju të pranoni 65% paradeklarim të kapaciteteve bazuar tek shtretërit, 35% që deklarohet për pjesën tjetër të vitit është më i lartë se sa normaliteti, e dimë edhe këtë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “është një lloj balance dhe jemi shumë të kënaqur që mbi 1 mijë hotele i janë afruar derës sonë, kanë trokitur dhe kërkojnë marrëveshje”.
“Kështu nuk keni më inspektime, kontrolle, bjeri derës, ka njeri brenda apo jo. Ju e dini shumë mirë se sa shumë akullore duhet të jepni për të freskuar inspektorët. Më mirë hiç inspektime, marrëveshje, shteti e di çfarë do marrë në fund dhe ju e dini çfarë do merrni në fund. Paralelisht me këtë do fillojmë procesin me Airbnb”, tha Rama. /k.s/j.p/