E Martë, 3 Nëntor 2026

Ibrahimaj: “Paqja fiskale”, falje detyrimesh për bizneset dhe përjashtim nga kontrollet tatimore

Tiranë, 25 prill/ATSH/  Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot nismën e re të qeverisë, “Paqja fiskale,” që synon krijimin e një klime të re bashkëpunimi me biznesin, duke ofruar më shumë qartësi dhe drejtësi, më pak stres dhe më pak kontrolle.

Kjo paketë, siç theksoi ministrja, ofron mundësinë për çdo sipërmarrës dhe individ që të mbyllë çështjet e së kaluarës me administratën tatimore dhe të nisë një marrëdhënie të re, të bazuar në besim dhe parashikueshmëri.

Në një takim me përfaqësues të biznesit, të mbajtur sot në Lezhë, ku mori pjesë edhe kryeministri njëherazi kryetari i PS-së, Edi Rama, Ibrahimaj shpjegoi se “Paqja fiskale” ofron ulje të tatimit mbi fitimin për bizneset që hyjnë në marrëveshje me administratën tatimore dhe përjashtim të plotë nga kontrollet tatimore për periudhën e dakordësuar.

Ministrja shtoi se tre shtyllat kryesore të këtij programi janë: tatimi i dakordësuar mbi fitimin, rishikimi i pasqyrave financiare dhe falja e detyrimeve dhe kamatëvonesave.

“Për bizneset që kanë detyrime më të vjetra se 10 vite, do të falen plotësisht detyrimet, interesat dhe kamatëvonesat. Ndërsa për ata që kanë detyrime nga 5 deri në 10 vite, interesat dhe kamatëvonesat do të fshihen, dhe për ata që vendosin të paguajnë menjëherë 50% të principalit, do të fshihet edhe 50% tjetër i tij. Për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë njëherësh 50% të principalit, do të lidhet një marrëveshje për ta paguar brenda një viti, ndërkohë që do t’u fshihet 25% e detyrimeve”, deklaroi ajo.

Ministrja Ibrahimaj shprehu besimin se kjo nismë do të krijojë hapësira për rritje dhe investime të reja, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet biznesit dhe qeverisë. Ajo theksoi se ky program është një mundësi për të arritur më shumë fitime dhe më shumë investime, pasi qeveria e sheh veten si partner të biznesit.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve infrastrukturore për zhvillimin e sektorit të turizmit.

Ajo përmendi se, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013, numri i turistëve të huaj ishte 1 milion, ndërsa sot ka arritur mbi 11 milionë dhe synimi është të shkojë mbi 20 milionë. Ibrahimaj shtoi se kjo rritje ka sjellë më shumë të ardhura dhe më shumë mundësi punësimi për qytetarët.

“Në vitin 2013, të ardhurat nga turizmi ishin më pak se 1 miliard euro, ndërsa në vitin 2024 këto të ardhura pritet të arrijnë në 5 miliardë euro”, u shpreh ajo.

Ministrja theksoi se këto të ardhura kanë një ndikim të madh në ekonomi, duke krijuar një rritje prej 9 miliardë eurosh, që përkthehet në 21% kontribut në ekonominë kombëtare.

Ministrja më tej u ndal dhe në skemën e re të propozuar për sektorin e hoteleri- turizmit.

“Ata që do të deklarojnë 65% të strukturave gjatë sezonit të pikut dhe 35% gjatë periudhës tjetër, do të përjashtohen nga inspektimet tatimore. Kjo masë ka për qëllim të luftojë informalitetin dhe nëndeklarimin në këtë sektor të rëndësishëm për ekonominë”, tha ajo.

Ministrja përmendi se shumë biznese në sektorin e hoteleri-turizmit kanë pranuar tashmë këtë marrëveshje, duke kontribuar në një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori.

Me këto hapa, theksoi ajo, qeveria synon të krijojë një ambient më të favorshëm për zhvillimin e bizneseve dhe të sigurojë një rritje të qëndrueshme ekonomike për të gjithë. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›