E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Në çdo rreth do kthehen zyrat e shërbimeve siç kanë qenë në vitin 2013

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh sot gjatë një konference me gazetarët se takimet e zhvilluara në jug të vendit ishin  “turi i entuziazmit dhe optimizmit”.

Berisha tha se gjatë takimeve në jug konstatoi mungesën e qindra mijëra të rinjve që janë larguar nga ato zona. Berisha theksoi se për qytetarët mungojnë shërbimet.

“Ju duhet të dini një gjë se në qoftë se largohemi pak kilometra nga bregdeti, në zonat e jugut fillon një shkretëtirë në raport me banorët. Një pakësim jashtë imagjinate. Shkolla të mbyllura, klasa kolektive me pak nxënës. Qendra shëndetësore me dyer të mbyllura, me ferra. Mungesë mjekësh, mungesë shërbimesh. Mungesa e të gjitha zyrave, shkatërrimi i qyteteve, heqja e administratës”, tha Berisha.

Berisha shtoi “premtimet e mia ishin të qarta se kjo merr fund 100 ditët e para. Në çdo rreth do kthehen të gjitha zyrat siç kanë qenë në vitin 2013. Të gjitha shërbimet pa përjashtim”.

“100 kilometra bën qytetari nga Himara për të shkuar në Vlorë. Bashkia do i ketë aty shërbimet”, tha Berisha.

“Ky ishte një tur nga i cili njeriu kthehet mirënjohës, por kthehet edhe i trishtuar kur sheh gjendjen e atyre zonave mahnitëse, bukurive magjepsëse, trashëgimive kulturore unike me braktisjen masive të tyre, me vjedhjen e madhe. Shqipërisë po i ikin rinia dhe kjo fushatë dhe ky 11 maj është vendimtar për fatin e saj”, tha Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›