E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Do dyfishojmë buxhetin për Shëndetësinë, hapim fakultet tjetër mjekësie

TIRANW, 25 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentët e mjekësisë në takim elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gjatë takimit Berisha premtoi se do të dyfishojë buxhetin për Shëndetësinë.

“Së pari, ne do dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë, do dyfishojmë buxhetin për arsimin. Së dyti, nuk do ketë mjek apo infermier në spitale në qoftë se nuk i paguan ata shumë, shumë mirë. Do rritësh rrogat. Gjer në vitin 2013 kanë qenë të pakët ata që iknin. Kështu që ne zotohemi të dyfishojmë rrogat për mjekët dhe infermierët. Do vendosim një rrogë minimale 1500 euro për mësuesit me qëllimin që ata të ndjehen në funksion të misionit të madh që kanë” tha Berisha.

Berisha u shpreh më tej se “do të hapim detyrimisht një fakultet tjetër mjekësie”.

Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se nuk spitalet nuk e përballojnë mungesën e mjekëve. “Kanë ikur në vit 1 mijë, imagjinoni ju kur të dalin në pension këta të këtij viti. Ne shkojmë drejt një shterimi të frikshëm të personelit mjekësor”, u shpreh ai.

“Ndaj dhe ne me përparësi absolute do të hapim një fakultet të dytë mjekësor dhe do përpiqemi të rrisim shumë pranimet në këto dy universitete në mënyrë që t’i japim përgjigje këtij vakuumi me pasoja shumë të rënda për shëndetin e shoqërisë”, tha Berisha.

“Pa një shërbim shëndetësor dinjitoz nuk mund të ketë Shqipëri Madhështore”, nënvizoi Berisha.

Berisha po ashtu premtoi se “lista e barnave të rimbursueshme do jetë identike me republikën italiane në mënyrë që këta njerëz në nevojë të paktën të mjekohen pa probleme të mëdha financiare, dhe të mjekohen me ilaçe cilësore pasi në Shqipëri nuk do shitet asnjë ilaç që nuk qarkullon në dy vende të BE”.

“Ne e kishim këtë rregull sepse ne nuk kishim laboratorët e njëjtë me SHBA dhe BE për të bërë analizat e cilësisë, e efikasitetit, etj. Atëherë kjo është e thjeshtë, importojmë vetëm ilaçe që shiten në dy vende të BE, pra që janë të miratuara nga enti evropian ose amerikan i medikamenteve. Në këtë mënyrë ne garantojmë cilësinë e ilaçeve, me listën e rimbursimit ne i bëjmë ato të kapshme për të gjithë”, u shpreh Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›