E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Qarku i Gjirokastrës i transformuar në turizëm e infrastrukturë, po kthehen edhe emigrantët

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza në qytetin e Gjirokastrës.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se qarku i Gjirokastrës përjeton një transformim të madh në turizëm dhe infrastrukturë, duke sjellë zhvillim ekonomik dhe mundësi për investime.

Rama tha se Përmeti vitin e kaluar ka pritur mbi 150 mijë turistë, ndërsa Gjirokastra 600 mijë.

“Unë dje erdha me Mirelën në Gjirokastër, që nuk jemi akoma në sezon, dhe gjithë Qafa e Pazarit ishte plot dhe nuk është as fundjavë dhe ndërkohë shtohen e shtohen dyert që hapen në këtë qyet. Kur ne morëm detyrën ishin dy-tri dyer ku trokisje për të fjetur, ata që i mbanin hapur përpëliteshin në mbijetesë, sepse nuk kishin numra turistësh për të nxjerrë ndonjë fitim siç nxjerrin të tërë këtu.

“Pa llogaritur që në Përmet – as nuk i shkonte mendja njeriu që të ndalonte në Përmet – Përmeti e mbylli vitin e kaluar me 150 mijë turistë, Gjirokastra me 600 mijë. Po Libohova? Që kur kemi vajtuar në fillim ishte i braktisur totalisht, ku kishte një kafene aty diku që sot ka bujtina pas bujtinash që hapen. Që mos të flasim për Tepelenën që ishte një xhep fals ku njerëzit vinin vetëm për ngushëllim ose për ndonjë dasmë dhe ata që martoheshin iknin. Imagjinoje, ma ka thënë Tërmeti një herë, nuk e kishim menduar të shikonim bjonde nga Suedia ne duke bërë xhiro në Tepelenë.

Rama u ndal edhe te përmirësimi i infrastrukturës dhe furnizimit me ujë, duke përmendur se shumë fshatra në zonën e Përmetit tani kanë furnizim 24 orë.

“Kjo Shqipëri është një Shqipëri që është krejt tjetër, pastaj kur thonë po nuk ka mundësi, është i sëmurë populli, se këtu nuk ka ujë, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Faktikisht në Përmet, qyteti, fshatrat një numër i madh fshatrash kanë ujë 24 orë nuk e kishin dhe nuk e kanë pasur kurrë më parë, të gjithë këto zona si e gjithë Shqipëria.

“Pa folur për infrastrukturën e gjithë transformimet e tjera që anë kthyer shpresën dhe kanë bërë që shumëkush që ishte nisur për Greqi dhe as nuk e mendonte se do të kthente sytë nga këto vende, të mendoj të kthehet dhe të investojë. Ja ku e kemi një kandidat për deputet një rast tipik është kthyer dhe tani rri këtu në Gjirokastër ku familja ka bërë investim që është një nga investimet e bukura të qytetit. Si i bëhet?!”, tha Rama.

Rama nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit dhe theksoi se Shqipëria është kthyer në një vend që “e respekton gjithë bota”, duke përmendur edhe samitin e Evropës politike që do të mbahet në Tiranë më 16 maj.

“Realisht është një Shqipëri e ndarë midis një shumice dhe pakice si një tru i ndarë, dhe prandaj them unë se nga ana tjetër e trurit ka ujë kënete brenda, se nuk ka mundësi. Mund të kritikosh sa të duash, mund të kesh rezerva plot, jam i bindur se me siguri do të thoni shumë gjëra që nuk shkojnë. Të thuash se është populli i sëmurë apo që i ka blerë Edi Rama të tërë, se nuk ka kuptim kjo punë, ndërkohë që Shqipëria është bërë një vend që e respekton tërë dynjaja. Ndërkohë në 11 maj kemi zgjedhjet dhe më 16 maj do të presim tek “Skënderbeu” atje, tërë udhëheqësit e kontinentit, nga Londra në Ankara, BE po e po, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, drejtuesit e institucioneve të mëdha financiare ndërkombëtare do të jenë të gjithë në Tiranë për samitin e Europës politike e imagjinonim që do të ndodhte kjo në të gjallë tonën. Kush e ka imagjinuar ka qenë pak i çmendur, por jo çyryk”, tha Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›