Rama: Me hyrjen e Shqipërisë në BE, zgjidhet çështja e pensioneve me Greqinë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u takua sot me gra e vajza të qarkut Gjirokastër.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, opozita thotë se PS nuk ka program.
“Këta çyrykët thoshin, po ç’është ky hall i madh me këtë njeri, çfarë janë këto fushata, s’ka program, s’ka asgjë, del atje një herë thotë tepsi, një herë thotë timon, pastaj thotë kënetë, buf, pasaportë. Tani, thoshin, ka nxjerrë dhe pasaportë, se s’ka çfarë thotë më. Unë s’kam çfarë them më, unë? Ne s’kemi çfarë themi më? Më besoni, se po i shikoja sot, ne vetëm punët, investimet që kemi në qarkun e Gjirokastrës të fillojmë t’i numërojmë një nga një ne mund të rrimë këtu deri nesër. Ndërsa për të numëruar një nga një të tëra çfarë kemi bërë në të gjithë Shqipërinë, në çdo drejtim, ne mund të rrimë përtej 11 majit. S’paskemi çfarë themi!”, tha Rama.
“Ajo pasaporta nuk është një dokument tjetër udhëtimi me një ngjyrë më të kuqe. Ajo pasaporta është status i ri për këtë gjirokastriten e vogël këtu”, tha Rama.
“Ky floriri i vogël këtu, nëse nesër do të shkojë me studime jashtë vendit, do shkojë si studente e huaj dhe mami me babin do të duhet të paguajnë 10 herë më shumë që ti të studiosh jashtë sesa do të paguanin nëse ti do ta kishe atë pasaportën evropiane sot. Sepse kur fëmijët tuaj të shkojnë në Evropë për të studiuar me atë pasaportë nuk kanë asnjë tarifë ekstra, sepse nuk janë më të huaj, janë studentë evropianë njësoj si të tjerët, në të njëjtin perimetër”, u shpreh Rama.
Pra, theksoi Rama, “siç është qarku i Gjirokastrës me bashkitë e veta është dhe Bashkimi Evropian me vendet e veta dhe brenda BE-së vendet janë njësoj siç janë këtu brenda qarkut, shkon ku të duash, vete e vjen sa herë të duash”.
Ndërkohë që sot, shtoi Rama, “ju e dini shumë mirë të ndalojnë atje dhe fillon historia: Ku po shkon? Sa do rrish? Kush të ka ftuar? A ke lekë me vete? Sa lekë ke? Po ke hotel, po s’ke hotel? Dhe ti s’ke hyrë akoma të pyesin po kur do ikësh? Sepse je i huaj. Ajo pasaportë e ndryshon tërësisht këtë gjë”.
Duke folur për shqiptarët në Greqi, Rama tha se, me hyrjen e Shqipërisë në BE zgjidhjet e çështja e pensioneve me Greqinë.
“Në momentin që ata marrin pasaportën shqiptare të BE-së është automatikisht e barasvlershme në Greqi me pasaportën e grekëve. Nuk iu duhet më pasaportë greke atyre fare. Për asnjë gjë. Vetëm për një gjë iu duhet, nëse duan të zgjidhen deputetë në Greqi. Por për t’u zgjedhur kryetarë bashkish, komunash, këshillash apo dhe eurodeputetë shqiptarë me pasaportë shqiptare të BE-së ama në Greqi, mund të zgjidhen dhe në Itali dhe kudoqoftë”, tha Rama.
“Pra rruga më e shkurtër për t’i mbyllur të gjitha historitë që kanë ata atje është të investojnë në 11 maj. Ne të mbyllim negociatat deri në 2027-n, Shqipëria të futet në BE dhe të gjithë të marrin pasaportën. Kjo është rruga më e shkurtër”, tha Rama.
/r.e//a.f/