Bardhi në Roskovec: Të rinjtë, pjesë e qeverisë së re të PD pas 11 majit

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, u takua sot me të rinj të Roskovecit, ku iu kërkoi angazhim në fushatë. Bardhi theksoi se ata duhet të arsimohen, pavarësisht vështirësive, ndërsa shtoi se më të mirët e kanë vendin në qeverinë e re të Partisë Demokratike pas 11 majit.
Ai premtoi mbështetje për bizneset e hapura nga të rinjtë, ulje taksash për familjet e tyre dhe rritje pagash e pensionesh.
“Të rinjtë, fuqia jonë! Me të rinjtë e mrekullueshëm të Roskovecit! E rëndësishme për ne angazhimi i tyre në fushatë, por i inkurajova të studiojnë sa më shumë, pavarësisht vështirësive. Më të mirët e kanë vendin në qeverinë e re të Partisë Demokratike pas 11 Majit!
“Mundësitë për punë për të rinjtë, përjashtimi ose lehtësimi nga taksat i bizneseve të hapura prej të rinjve, ulja e taksave për prindërit e tyre, rritja e pagave dhe pensioneve do të jenë shumë arsye së bashku për të mbajtur të rinjtë në Shqipëri. Rinia është fuqia jonë! Në Roskovec dhe në qarkun e Fierit kemi krijuar një bërthamë të fortë që i prin fitores!”, shkruan Bardhi.
/r.e//a.f/