E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Berat: PS ka zgjedhur arsyen dhe ndërtimin, jo hakmarrjen

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama mori pjesë sot në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, të zhvilluar në qytetin e Beratit.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te dallimet mes Partisë Socialiste dhe kundërshtarëve politikë, duke theksuar sipas tij qasjen e PS-së në qeverisje dhe zhvillim.

Sipas Ramës, diferenca nuk lidhet vetëm me transformimet infrastrukturore apo zhvillimin ekonomik, por me mënyrën e të qenit dhe të menduarit si shoqëri.

“Midis historisë së atëhershme dhe të mëpastajme të kundërshtarëve tanë dhe historisë së PS-së atëherë dhe mëpastaj, nuk është thjesht një dallim që lidhet me rrugët, urat apo transformimin e qyteteve dhe turizmit”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se, sipas tij, Partia Socialiste përfaqëson një qasje evropiane të shoqërisë shqiptare, jo vetëm në aspektin formal, por edhe në mendësi dhe vlera.

“Është një dallim i madh që lidhet me mënyrën e të qenit banorë të këtij vendi, njerëz të këtij vendi, të ndarë midis shumicës që përfaqëson PS, që janë shqiptarët evropianë jo vetëm me fjalë, por me shpirt dhe mendje”, deklaroi Kryeministri.

Rama shtoi se Partia Socialiste, sipas tij, ka zgjedhur rrugën e arsyes dhe pajtimit, duke shmangur logjikën e konfliktit politik.

“Ndër shumë gjëra që PS ka merita historike është fakti që edhe pse doli nga një tunel i gjatë dhe stërmundimshëm prej disa vitesh të paimagjinueshme në opozitë dhe erdhi në qeveri me në krye liderin e vet të dalë nga burgu, për asnjë ditë të vetme nuk u thirri shpirtrave hakmarrës”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se kjo qasje përbën, sipas tij, një nga dallimet kryesore mes PS-së dhe Partisë Demokratike.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›