E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama në Fier, prezantohen arritjet në prodhimin dhe diversifikimin e energjisë


TIRANË, 29 prill/ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ndodhet sot në Fier, ku po prezanton arritjet kyçe në prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, investimet e realizuara në këtë sektor, si dhe objektivat afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

Në këtë takim, i cili zhvillohet edhe në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryesocialisti Rama shoqërohet nga zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi drejtuese politike e PS për qarkun Fier, Belinda Balluku.

Në nisje të fjalës së saj, ministrja Balluku theksoi se objektivi është që Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë brenda vitit 2030. Për të arritur këtë qëllim, ajo tha se është punuar jo vetëm për të përmirësuar burimet ekzistuese të energjisë, por është investuar për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, ndërsa nënvizoi dhe bashkëpunimin me investues të rëndësishëm ndërkombëtarë. “Projekti i Karavastasë në këtë drejtim është një model për t’u ndjekur. Tani po presim rezultatet e para nga Spitalla”, tha ajo.

Balluku shtoi se kanë nisur hapat e parë të linjës së interkonjeksionit me Italinë. “Kjo falë edhe marrëveshjes tripalëshe Shqipëri – Itali – Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo linjë është e vërtetë e vendit tonë me tregun e BE, Italinë, Francën etj.”.

Balluku tha se falë mirëmenaxhimit të sektorit të energjisë sollëm dhe uljen e tarifave të energjisë.

Ajo prezantoi dhe shifrat e rritjes së prodhimit të energjisë, ku në 2025-ën, sipas Ballukut prodhimi vjetor i energjisë pritet të ketë një rritje me 60% në krahasim me vitin 2013, ndërsa për vitin 2030, kjo rritje është parashikuar të jetë 135%.

Kreu i qeverisë Rama tha se është dyfishuar prodhimi i energjisë në Shqipëri. Sipas tij, prodhimin “e gjetëm vetëm hidro, ndërsa e diversifikuam. Sot 10% e prodhimit vjen nga energjia diellore”.

“Do të kemi fatin të kemi në Shqipëri projektin për sistemin e pompimit të ujit. Besoj që kemi të gjitha arsyet të mendojmë që pavarësia e plotë energjetike e Shqipërisë është afër”, tha Rama.

Sipas tij është duke u realizuar dhe është shumë pranë kalimit të Shqipërisë nga një vend në hall me prodhimin e energjisë në një vend eksportues neto të energjisë. “Brenda kësaj dekade, Shqipëria totalisht e pavarur nga çdo zhvillim i jashtëm në raport me prodhimin e energjisë, duke kaluar në eksport neto”.

Rama vuri në dukje se edhe rrjeti transmetimit është transformuar. “Qershia mbi tortë linja e interkonjeksionit me Italinë”, shtoi Rama.

Programi për Energjinë 1 nga 10

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›