Rama prezanton shkollën “Angela Merkel” në Kamëz: Gati në shtator me standarde europiane

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga shkolla e re 9-vjeçare “Angela Merkel” në Kamëz, e cila do të hapë dyert në shtator për mbi 1 300 nxënës.
Rama theksoi se godina është ndërtuar me standarde europiane, tashmë të pranishme në pjesën më të madhe të shkollave të kësaj bashkie dhe në rreth 400 shkolla të reja në të gjithë vendin.
“Mirëmëngjes dhe me shkollën e re 9-vjeçare “Angela Merkel” në Kamëz, e cila hap dyert në shtator për të pritur mbi 1 300 nxënës me standartet europiane tanimë të afirmuara si standarde në shumicën dërmuese të shkollave të kësaj bashkie, edhe të afro 400 shkollave të reja që kemi ndërtuar në mbarë vendin, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.
Shkolla e re është me 38 klasa, 10 laboratorë, bibliotekë, terrene sportive e hapësira rekreative, e konceptuar që të shërbejë edhe si një pikë sociale për komunitetin.
Shkolla ndodhet 800 metra nga qendra e qytetit dhe është e formuar nga 5 nivele të ndryshme, një nën tokë dhe 4 mbi tokë, ndërsa në 60 metra në distancë nga shkolla, është vendosur një mbikalim për këmbësorët për kalimin e sigurt të nxënësve.
Shkolla e re i shtohet zinxhirit të 18 shkollave të rindërtuara dhe rehabilituara në këtë bashki, me standarde evropiane, duke zgjeruar kapacitetet për komunitetin e Kamzës dhe zonave përreth.
/rtsh.al/