Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut, në mbrojtje të komunitetit

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut me seli në Poshnje është çdo ditë në shërbim të komunitetit, duke treguar profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm në çdo detyrë që i caktohet. Nga patrullimet e përditshme dhe stërvitjet e rregullta, tek ndërhyrjet në raste emergjencash civile, efektivët e këtij regjimenti janë gjithmonë gati për t’u përballur me çdo sfidë.
Kapter Ervin Todo, kryenënoficer i Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, thekson se trajnimi i ushtarëve është i gjithanshëm dhe i orientuar drejt misioneve brenda dhe jashtë vendit.
“Ushtarët në këtë regjiment stërviten për të marrë pjesë në misione jashtë vendit, për t’i ardhur në ndihmë popullsisë civile dhe për të kryer çdo detyrë apo mision që u caktohet,” shprehet ai.
Efektivët e regjimentit marrin pjesë rregullisht në operacione ndërkombëtare, duke përfaqësuar Forcat e Armatosura Shqiptare në misione të rëndësishme.
“Jemi pjesë e KFOR-it në Kosovë me një togë, si edhe në grupbatalionin e Bullgarisë me një tjetër togë,” shton kapter Todo.
Përveç angazhimeve ushtarake, ushtarakët e këtij regjimenti kontribuojnë edhe në përballimin e situatave emergjente brenda vendit.
“Angazhimet jo ushtarake të repartit tonë kohët e fundit kanë qenë në ndihmë të popullsisë civile, sidomos gjatë verës në operacionet kundër zjarreve në bashkitë Poliçan, Gramsh dhe Delvinë,” tregon Todo.
/gj.m/j.p/