Adriano: Interi është përsëri skuadra ime
Dy golat e shënuar në ndeshjen e parë me Sao Paolon kanë kthyer buzëqeshjen tek Adriano, i cili tashmë po mendon që të kthehet përsëri në formën më të mirë. Ai ka konfirmuar se dëshiron të kthehet tek Interi në fundin e sezonit, ndonëse ka polemizuar pak me Mançinin, i cili sipas tij nuk e kishte mbështetur sa duhej. "E kam thënë që në ditën e parë, shpresoj që Interi të jetë gjithmonë e ardhmja ime. E di që kam lënë një imazh të shëmtuar në Itali dhe shpresoj që kur të kthehem të tregoj përsëri se kush jam. Unë gjatë verës së kaluar u mundova të ndryshoj dhe punova shumë. Por Mançini më aktivizoi vetëm në 2-3 ndeshje, pa më shpjeguar asnjëherë përse e bëri një gjë të tillë. Ai është një trajner i madh që ka bërë dhe do të bëjë gjëra të mira për Interin. Por sipas meje, trajneri duhet të ketë një raport më njerëzor. Kisha nevojë për ndihmë, por ajo nuk m‘u dha", tha Adriano.