E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonstruksioni i Shërbimit të Djegie-Plastikës, Koçiu: Investim në cilësinë e shërbimit për qytetarët

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Vijojnë punimet për rikonstruksionin e godinës së Shërbimit të Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), një investim që synon modernizimin e ambienteve dhe përmirësimin e kushteve të trajtimit për pacientët.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga ecuria e punimeve, duke theksuar se ndërhyrja po realizohet sipas standardeve bashkëkohore.

Në pamjet e publikuara pasqyrohet transformimi i godinës, e cila më parë paraqitej e amortizuar dhe me ambiente që nuk plotësonin kushtet e kërkuara për ofrimin e shërbimit, ndërsa aktualisht punimet po vijojnë për rikonstruksionin dhe modernizimin e hapësirave.

Projekti parashikon krijimin e ambienteve të reja dhe modernizimin e kapaciteteve për trajtimin e djegieve dhe ofrimin e shërbimeve të kirurgjisë plastike.

“Ky është investim në cilësinë e shërbimit, por mbi të gjitha investim tek njerëzit. Një tjetër pjesë e ozaikut të transformimit të sistemit shëndetësor, për ta afruar çdo ditë e më shumë me standardet europiane”, u shpreh Koçiu.

Rikonstruksioni i godinës synon të krijojë kushte më të përshtatshme për pacientët dhe stafin mjekësor, duke përmirësuar infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara në një prej strukturave të specializuara të QSUNT-së.

/e.xh/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›