Ristani: Inteligjenca emocionale dhe zemërgjerësia nuk janë dobësi, por vlera që na bëjnë ne më të forta

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Me rastin e ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, uroi gratë dhe vajzat.
Ristani theksoi se forca e grave nuk matet vetëm me atë që arrijmë, por edhe me mënyrën si mbështesim njëra-tjetrën dhe si ndërtojmë rrugë të reja për vajzat që vijnë pas nesh.
Sipas saj empatia, inteligjenca emocionale dhe zemërgjerësia nuk janë dobësi, janë vlera që na bejnë ne më të forta, që e bëjnë shoqërinë më të fortë.
“Le të vazhdojmë të ecim përpara me besim, duke krijuar më shumë mundësi, më shumë barazi dhe më shumë dritë për çdo grua dhe vajzë”, shkruan Ristani.
8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, festohet sot në të gjithë botën, për të nderuar dhe respektuar figurën e gruas. Kjo ditë e veçantë i kushtohet vlerësimit të rolit dhe kontributit të grave në shoqëri, si dhe reflektimit mbi të drejtat dhe barazinë gjinore. Në Shqipëri festa e gruas është kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat.
/m.q/a.f/