Rrësheni, qyteti që lindi nga lart
Termometri në makinën tonë nuk shënon ndonjë temperaturë fort të ulët, megjithatë ne ndiejmë ftohtë. Nga jashtë një erë e fortë uturet pa pushim dhe dielli, që porsa ka nisur të kapërcejë qafat e maleve, në vend që të na ngrohë, e bën edhe më dimëror peizazhin e shndritshëm nëpër të cilin po udhëtojmë. Jemi nisur për në Rrëshen, për në kryeqytetin e tashëm të Mirditës. Kalojmë me radhë Urën e Matit, ku makina lëkundet frikshëm nga era e fortë e Milotit, dhe më pas një tabelë ku i është vënë kryq Lezhës dhe mbi të është shënuar: Mirdita. Tashmë, zyrtarisht, kemi hyrë në krahinën e famshme, nga më të njohurat e krejt Veriut. Anës Fanit era lëkund fort gëmushat që kanë mbirë mbi dheun e kuq. Vetëm pak makina kanë dalë kaq herët. "Ndonjë hallexhi si puna jonë", thotë shoku ynë shofer sikur të flasë me vete. Rubikun, qytetin e minierave e fabrikave të mbyllura, atë që ndokush e ka cilësuar si "Koloradon shqiptare", e gjejmë ende të përgjumur. Amatorët më të thekur të kafesë mëngjesore dhe ndonjë dyqanxhi, që lëkundet diku mes gjumit të natës dhe agut të ditës, as që nuk ruhen fare nga makinat që mund të kalojnë papritur mbi rrugën nacionale. Bëjmë kujdes që të mos ua prishim qetësinë në këtë agim verior.
Brenda pak minutash jemi në Rrëshen. Në sheshin qendror, që mban emrin e Abatit të Mirditës, na presin dy miqtë tanë të kahershëm, Bardhok Gjikola e Ndue Dedaj. Nuk kalon veçse pak kohë dhe na prezantojnë me dy rrëshenas të vjetër. Jo nga ata që kanë ardhur në vitet kur vendbanimi u shndërrua pak nga pak nga një katund i Kthellës në një qytet, por nga ata që jetojnë ende ndër shtëpitë e të parëve, nga ata që lindën këtu dhe që e panë këtë qytet të ngrihej orë pas ore para syve të tyre. Janë dy miq të pandarë, që të dy 73-vjeçarë. Njëri ka lindur vetëm pak ditë pas tjetrit. Dy kullat e tyre kanë qenë ndër të parat e Fushë-Lumthit, kësaj pllaje sot të mbushur me pallate. Ata janë Gjetë Doda dhe Preng Përgjetani.
Kujtime nga një qytet as 70-vjeçar
Dy të moshuarit mbahen mirë. Të dy në fillim picërojnë sytë e mundohen të kujtojnë këtë fushë të zhveshur nga pallatet e ndërtesat, pa fabrika, pa stacion të rrënuar treni, ashtu sikurse ka qenë këtu e afër 70 vjet më parë, kur luanin të shkujdesur këtyre lëndinave. I pari nis të flasë Gjetë Doda. "Keni me pa kullën teme - nis të flasë ngadalë Gjeta - ajo ka qenë një nga të parat shtëpi në krejt këtë zonë. Baba jem, Dodë Prenga, ia pat lanë me qira shtetit, i cili e ktheu në godinë të xhandarmërisë, kështu që unë kam le në stanet tona diku ma nalt. Kujtimi ma i parë që kam nga fëmijëria dhe që e mbaj mend shumë qartë edhe sot e kësaj dite, ka qenë atëherë kur, vetëm 4 vjeç, më ka marrë baba prej dore dhe më ka tregu: nji kjo ktu asht kulla jonë, kurse ajo atje përtej asht kulla e nuses tane. Që në atë moshë e kam marrë vesh se isha feju me grun me të cilën ma vonë u martova vërtet. Për kullen dhe për familjen tesh iu flas ma vonë, atëherë kur të urdhnoni n‘kullë teme".
Të dy plotësojnë njëri-tjetrin në shpjegimin e një historie që më shumë se historia e ngritjes së një qyteti i ngjan historisë së rritjes së një njeriu. Herë Gjeta e herë Ndreu nisin të mbushin një mozaik që nis të na kujtojë një film dhe jo një rrëfim të thjeshtë. Nga copëzat e kujtimeve të tyre mundohemi të imagjinojmë një grup burrash që vijnë të lodhur e të çorientuar nga lufta. Më pas Bardhok Bibën që ishte bërë shumë shpejt i pari i vendit, duke folur me të tjerët: ku ta ndërtojmë qendrën e re? A këtu në Fushë-Lumth apo atje ma nalt? Ma në fund i pari që vendos: Këtu dhe pikë, nuk ka ma diskutime. Këndej pari kalon edhe rruga për në Burrel. Pastaj disa nëpunës, të cilëve iu desh t‘u bënin shoqëri forcave speciale që kishin ardhur për të vendosur "pushtetin popullor", kohë terrori e frike dhe më pas disa ngrehina të thjeshta, dyqane, baraka, magazina dhe një fushë futbolli bash atje ku sot është sheshi qendror i qytetit. "Makina e Halitit", kështu quhej makina e vetme që vinte nga Shkodra, duke përbërë ngjarje për këtë qendër që sapo kishte nisur të ëndërronte të shndërrohej në qytet. "E mbaj mend atë kohë - thotë Preng Përgjetani duke parë nga sheshi që ishte fushë futbolli - unë merresha asokohe me sport dhe kisha të drejtë të merrsha 1 kilogram bukë gruri. Ishte mirë për atë kohë, të tjerë kanë vujtë edhe për bukën e gojës".
Pastaj edhe pa tregimet e dy shokëve të vjetër nuk e kemi të vështirë të përfytyrojmë se si lindi qyteti në anë të lumit të vogël. Në fillim Komiteti Ekzekutiv, pastaj shkolla, Dega e Brendshme, gjykata, punishte, ferma… A nuk lindën kështu edhe shumë të tjerë gjetiu?
Endrra e trenit
Rrëshen, qyteti i ri, me sa duket ka qenë i destinuar për ato që të gjitha politikat i quajnë me rëndësi kombëtare. Njësoj si sot me rastin e rrugës Rrëshen-Kalimash, edhe disa dekada më parë Milot-Rrëshen-Klos ishte një hekurudhë, që synonte të bashkonte krejt Veriun në një nyje të përbashkët, të madhe hekurudhore. Treni mbërriti vërtet në Rrëshen, por shumë mirditorë tashmë ia kanë harruar tingullin e mprehtë sirenës së hareshme të lokomotivës. Shinat janë shitur për skrap, ndërsa disa malësorë kanë gjetur një zgjidhje më origjinale: Kuptuan se ato ishin fort të mira edhe për të ngritur gardhe.
Bashkë me Bardhokun shkojmë për tek ai që quhet, thjesht për forcë zakoni, "Stacioni i Trenit". Kalojmë në fillim përmes pazarit të Rrëshenit. Është kohë dreke dhe dyqanxhinjtë duken të vetmuar në ato dyqanet e tyre të improvizuara, por Bardhoku na shpjegon se zakonisht këtu është pika më e zhurmshme e krejt Rrëshenit, e mbase e krejt Mirditës. Fasada e braktisur e stacionit na duket si një dekor absurd. Është një ngrehinë me xhama të thyer, ku valëviten disa plastmase të hareshme. Për pak çaste janë të vetmet objekte të lëvizshme në një hapësirë të madhe. Tutje dallojmë disa magazina të mëdha dhe disa vinça tashmë të ndryshkur keqas. Dikur ishte menduar që këto ngrehina të stërmëdha të mbusheshin me mineralin që do të mbërrinte nga të gjitha minierat e pasura të Veriut. Tashti godinat që kanë nisur të harrohen dhe strukturat e mëdha prej metali të ndryshkur pleqërojnë bashkë në vetminë e tyre. Një polic, që me sa duket shpejton të marrë turnin, na shikon me një ndjenjë të përzier habie dhe bezdie ndërsa na sheh duke fotografuar. "E ku më dolën edhe këta përpara tani!", duket sikur mendon duke shpejtuar të ecë mbi trasenë ku dikur ishin shtrirë shinat. Të vetmet mbetjeje të një ëndrre mirditore.
Dalim për pak në periferinë e qytetit. Në fakt, rrethinat nga qendra nuk i ndajnë nga njëra-tjetra veçse pak minuta. Bardhoku na shpjegon me radhë: Kjo këtu ka qenë ndërmarrja ushqimore, kjo këtu ajo e grumbullimit, kjo këtu shkolla e lirë ushtarake, këtu drejtoria e fermës… Nuk ndalojmë. Nuk ia vlen të ndalemi në një grumbull ndërmarrjesh të braktisura që ngjajnë si dy pika uji më njëra-tjetrën. Janë shndërruar ose në gërmadha ku dëgjohet vetëm uturima e erës që vjen nga Veriu, ose në gjysmështëpi të improvizuara shpejt e shpejt nga ku del një fjollë e hollë tymi.
Tarazhi është një nga fshatrat më të njohur të bajrakut të Kthellës. Makina jonë ndalon në qendër. Prej këndej kundrojmë një urë të habitshme. Është njëra prej më të rëndësishmeve të hekurudhës së planifikuar dikur. Ajo tashmë nuk shpie askund. Një krah i saj është rrënuar frikshëm, njësoj sikur të jetë fillimi i fundit i kësaj ngrehine gjigante. Përballë nesh vetëm Mali i Dejës, i mbuluar me dëborë, e zbut ca trishtimin gri të kësaj ure tashmë të kotë. Marrim për t‘u kthyer. Bardhoku na propozon të shikojmë një nga lagjet periferike të Rrëshenit të sotëm. "Fshat a qytet vendoseni vetë. Unë vetëm po ju them se asht mirë me shku. Pastaj keni edhe një pamje shumë të mirë të qytetit", na thotë shoku ynë. Shokut nuk i prishet, sidomos kur është shok i vjetër mirditor, kështu që ne e zbatojmë këshillën e tij. Bardhoku nuk ka gabuar. Që për së largu nuk mund t‘i shohim gjërat e trishtueshme dhe as të dëgjojmë historitë e vjetra, kështu që Rrësheni që kemi poshtë nesh, nën diellin që ka nisur të shndrisë ca më fort, na duket një gjë e këndshme. Njësoj si një njeri që u gëzohet rrezeve të diellit pa e vrarë shumë mendjen për të shkuarën apo për të ardhmen. Pasi shohim disa shtëpi të vjetra zbresim poshtë me imazhin e mbarë që morëm me vete nga lartësia e kordave të periferisë.
Në kullë të Përgjetanit
Prengë Përgjetani na pret në hyrje të kullës së tij. "Urdhnoni mren", na përshëndet sipas zakonit të vjetër. Kullën e vjetër na e kujton vetëm hyrja e gurtë, e ruajtur nga Ndreka sikur ka qenë në kohën e ndërtimit të saj. Një mbishkrim i vjetër, disa simbole të gdhendura në gur dhe dy çengela ku miqtë varnin pushkën kanë mbetur si në kohët e qëmotit. Muret janë po ato të trasha e të gurta sa t‘i bënin ballë çdolloj sulmi. "Baba vdiq mbi 90 vjeç - bën me dorë Prenga nga dritaret e shtëpisë - asokohe pat nisë kthimi i frengjive të vjetra në dritare pak më të mëdhaja. Kjo quhej edhe si shenjë zhvillimi. I patëm thanë babës asokohe dhe na u kthye: ‘Kur të vdes unë bani ç‘ka të doni. Kto ndryshime që shifni i patëm ba bash e n‘atë kohë". Ndreka, është një burrë i gjatë që i pëlqen të flasë, për krahinën e tij, për histori të vjetra, por edhe për artin dhe këndi i tij i mbushur me libra në bën me dije se e ka qejf edhe leximin. Ai ka punuar për shumë kohë si disenjator e përgjegjës i sallës së leximit. Në një qoshe të shtëpisë janë mbledhur gjyma të vjetër, poçe të ardhura nga kush e di se cila kohë, objekte të tjera me të cilat kanë jetuar të parët e Prengës. Një çifteli pa tela është rreshtuar në këtë muzeum të improvizuar. "Kam edhe të tjera gjana të vjetra, një arkë të vjetër për shemull. Nuk ia jap kujt. Janë nga gjanat e mija më të shtrenjta", ndërsa flet mirditori i çon hera-herës sytë mbi një portret të varur në mur. "Asht baba", bën thjesht me kokë.
"Baba jem i pushkatum"
Gjet Doda e ka shtëpinë fare afër qendrës së Rrëshenit, krejt mbrapa shkollës. Me Bardhokun, Prengën e Ndue Dedën, grupi i miqve që ka mësyer në kullën e tij bëhet goxha. "Miq paça e ardhshin për mirë. Mirë se ju ka pru Zoti", na fton Gjeta në shtëpinë e tij. Në anë të vatrës së vjetër ai nis një rrëfim të ngadaltë. Nuk nxitohet, por as nuk ngashërehet. Rrëfen ngadalë historinë e tij, njësoj sikur ta ketë diku në mendje të shkruar, shkoqur dhe pa përsëritur asgjë. "Po e nis me këtë oxhakun që kena ktu - nis të flasë ndërsa të gjithë të tjerët kanë heshtur - që ta dini ju baba jem, Dodë Preng Nikolli, kur bëni kte shtëpi, ndër ma t‘parat dhe ma t‘mirat në këtë zonë sa pa u ba qyteti, mbi votër gdhendi emrin tim. Kur shtëpia u shndërrua ma pas në Komitet Partie dhe na ne çun n‘dër ksolla të bagtive edhe emnin tim e prishën me daltë. Por mund t‘i dalloni edhe vetë gërmat e vjetra.
Baba ka mbetë jetim që i vogël. Në të ritë e tij, menjëherë porsa ka martu motrën, ka shku në Elbasan me punu. Atje, për pesë vjet ka punu lopçar te nji nga bejlerët e Biçakçive. Pas kësaj kohe asht largu, sepse nuk pranoi që beu të rrihte njërin prej lopçarëve që kishte humbë një pjesë të tufës. Si asht kthy n‘fshat ka nisë me u marrë me tregti dhe ka pasë lidhje shumë të forta me tregtarë shkodranë dhe krutanë, sidomos me familjen e Tagave. Baba ka qenë shpi e parë në këtë zonë dhe ia dëgjoshin fjalën.
Lufta, mbarimi i saj, ka kriju shumë probleme, se si do të ishte e ardhmja. I mbaj mend edhe vetë, ndonëse i vogël, babën me Mark Gjon Markun e Llesh Gjon Markun kur diskutoshin ktu ku jena ulë sot. Edhe babës i erdhi haberi nga miqtë e tij se ishte ma mirë me ikë, por ai mendoi me qëndru, nuk i kishte ba kujt keq, përkundrazi. Kshtu mbeti dhe, në 1945, u zgjodh edhe kryetar i këshillit, kështu quhej asokohe i pari i katundit. Më 1946-ën nisi aksioni i grumbullimit të armëve. Baba i pat thanë Bardhok Bibës, i pari i athershëm i komunistave të këtushëm, të cilin e njifte mirë: ‘Po i dorëzoj, vetëm njanen nuk po e jap, se asht e verdhë si çapemi (hardhucka) dhe ma ka qefi fort". Për do kohë Bardhoku e la e pastaj i tha ta dorëzonte edhe atë. Kshtu baba ishte krejt në rregull me ligjet e saj kohe. Por më 5 tetor 1946 u mblodhën "burrë për shtëpi" në oborrin e kishës, bash atje ku unë baja shkollën. Baba ka pasë një diskutim me një toger të forcave të ndjekjes dhe më pas e kanë vra të lidhun për gardh. Kur më ka thanë nana, asokohe isha vetëm 12 vjeç, po luaja me këtë shokun tem - bën me kokë nga Prenga - nuk më bashin këmbët me ecë. Pastaj mbaj mend burrat e mbledhun në ktë dhomë dhe vetëm kur e kam puthë babën për herë të fundit kam nisë me qa e më kanë nxjerrë jashtë. Si sot më jehon zani i vajtojcës: Kur t‘i vunë ato pranga o azgan, o gjyqtar/ A i shtrëngove ato dhamë, o azgan, o gjyqtar… Më vonë na nxorën nga shtëpia dhe nisën ato historitë e biografisë së keqe, për të cilat nuk po du me u zgjatë".
Dalim nga shtëpia e vjetër e katundit që sot është shndërruar në qytet. Poshtë këmbëve tona dërrasat e kullës së vjetër lëshojnë një zhurmë të mbytur, njësoj sikur të duan të na shtrëngojnë fort pas këtyre rrëfimeve. Jashtë ndahemi me miqtë tanë. Gjithsekush flet pak. Çdo fjali e gjatë do të ishte e tepërt. Zhurma e erës së Veriut vazhdon të na shoqërojë ndërsa në të errur marrim rrugën e kthimit.
Krahina me tri qendra
Qytetet u ngjajnë disi njerëzve të cilët banojnë në to. Lindin, rriten, nganjëherë plaken dhe shumë herë të tjera shuhen pak nga pak njësoj si pleqtë e moçëm. Pakkush e vret mendjen kur ato lindin. Të gjithë e përjetojnë rritjen e një qyteti, si një proces normal. Pastaj koha e ngritjes së tyre dhe ndryshimet marrin aq kohë sa që banorëve të tyre u duket sikur asgjë nuk po ndryshon. Në fakt, për ditë, pak nga pak, shumë gjëra ndryshojnë, qoftë drejt zhvillimit, qoftë drejt harresës. Kjo histori që do të lexoni në këto dy faqe do të kishte mbase shumë pak gjëra interesante për lexuesin e gjerë sikur të mos zhvillohej në zemrën e sotme administrative të Mirditës, një nga krahinat shtyllë të Veriut. Mirdita ka pasur tri qendra.
Më e para nga të gjitha ka qenë Oroshi, një vend i vendosur në zemër të maleve. Atje rrinte familja e Kapedanit nga fisi i Gjomarkëve, atje ishte Abacia e famshme, atje burrat e 12 bajrakëve vendosnin për punët e krahinës. Atje ishte ashti dhe zemra e Mirditës shekullore, a asaj që nuk kishte pranuar asnjë pushtet qendror, por që kishte vazhduar të jetonte e rregulluar nga venomet e saj të lashta.
Por Oroshi ishte larg, atje mes pishave në këmbët e Malit të Shëlbyemit. Në vitet ‘30 Ahmet Zogu ishte Mbreti i shqiptarëve. Dhe Zogut nuk i vinin edhe aq për shtat njerëzit e krahinat që vepronin në kokë të vet. Mirditorët, që e kishin një të njohurin e fqinjin e tyre të vjetër, ia njihnin mirë kokën. Mes dy palëve dikur u vendos një marrëveshje dhe kështu lindi një qendër e dytë e Mirditës, Shpali, më afër rrugës që e lidhte krahinën me pjesën tjetër të vendit. Këtu u vendos një postë xhandarmërie, syri dhe krahu i mbretit në zemër të Mirditës. Në sheshin e kishës së Shën Palit mblidheshin burrat e Mirditës deri në përfundim të Luftës së Dytë.
Pastaj i erdhi radha Rrëshenit, që ishte vetëm një katund i bajrakut të Kthellës me kulla të shpërndara në anë të një lumi të vogël, degë e Fanit të Vogël. Pikërisht në vendin e quajtur Fushë-Lumth, nisi pak nga pak të marrë jetë qyteti i ri, qendra administrative e Mirditës së sotme. Duket se ka qenë një nga figurat më të njohura të Mirditës, Bardhok Biba, i vrarë nga antikomunistët në 1949, ai që ka vendosur, pas shumë diskutimesh, ta zhvendosë qendrën pikërisht ku është sot. Qendrat e vjetra ishin tashmë baza të kundërshtarëve, po kështu një rrugë e kohës së Zogut që shkonte drejt Burrelit kalonte pikërisht këtu. Disa kulla u shndërruan shpejt e shpejt në zyra dhe banesa për nëpunësit e parë të pushtetit komunist dhe pak nga pak, duke shtuar baraka, dyqane, magazina dhe shtëpi të thjeshta nisi të marrë udhë qyteti i parë i Mirditës. Në vitet ‘60 nisën të ngrihen industritë e para dhe pak nga pak u shtua edhe arkitektura tipike e kohës me pallatet që janë kudo njësoj, me shkollën, spitalin, fushën e futbollit, rrugën qendrore… Zyrtarisht Rrësheni sot ka afër 8500 banorë, kryesisht familje të ardhura me kohë nga fshatrat rreth e rrotull. Nga ata banorët e parë të asaj lagjes së vjetër kanë mbetur përfaqësuesit e tre-katër fiseve të moçëm.