E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, projektligj për celularët

Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri, që synon të rregullojë tregun e telekomunikacioneve në vend. Ministri i Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, paraqiti dhe të rejat që sjell ky draft, i cili pritet që shumë shpejt të kalojë për miratim në qeveri. "Përcaktimi i operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg nuk do të bëhet më për një periudhë të kufizuar kohe, por do të bëhet për minimalisht 2 vjet. Kjo u heq kompanive mundësinë për t‘u vërtitur nëpër procese gjyqësore deri në zhvlerësimin e gjobës. Projektligji i ri rrit gjobat për prishje të rregullave të tregut në këtë drejtim. Me ligjin aktual, kufiri i gjobës është 10 milionë lekë të reja, ndërsa projektligji i ri parashikon që gjobat të vendosen si përqindje mbi xhiron vjetore të kompanive që shkelin rregullat e konkurrencës. Ky projekt gjithashtu i jep të drejtën Ministrisë së Telekomunikacioneve për një monitorim shumë më të kujdesshëm të aktivitetit të Entit Rregullator në mënyrë sistematike dhe permanente në ushtrimin e detyrimeve të veta ligjore për të monitoruar këtë treg", tha Olldashi. Sipas tij, në ndryshim nga ligji aktual, projektligji parashikon një analizë të tregjeve dhe përcaktimin e sipërmarrësve me Fuqi të Ndjeshme në Treg, si edhe vendosjen e detyrimeve përkatëse ndaj tyre sipas direktivave dhe rekomandimeve të tjera përkatëse të BE. "Një nga synimet themelore të projektit është rregullimi i tregut të deformuar që ne kemi. Telefonia celulare në Shqipëri është më e shtrenjta në kontinent dhe është pa diskutim më e shtrenjta në vendet e rajonit dhe kjo është një situatë absolutisht e papranueshme", vijoi më tej Olldashi.

Akuza e Entit

Kreu i telekomunikacioneve nuk ka ngurruar të hedhë akuza të forta mbi Entin Rregullator të Telefonisë, i cili sipas tij gjatë këtyre viteve nuk ka përmbushur detyrat e veta. "Projektligji nuk është në vetvete instrumenti që rregullon. Ai i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike instrumentet për ta rregulluar, pra i jep mundësinë që të ushtrojë gjithë kompetencën e vetë ligjore për të detyruar operatorët me Fuqi të Ndjeshme në Treg të respektojnë rregullat e lojës, që do të thotë se tarifat do jenë të orientuara drejt kostos. Kjo do të thotë që Enti Rregullator duhet të bëjë atë që ka katër vjet që nuk e bën, të llogarisë metodologjinë dhe kostot e operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg", u shpreh Olldashi. Ministri i Transporteve ka vijuar me akuza më të forta ndaj Entit, kur e ka akuzuar atë për shpërdorim të detyrës. "Ky ent duhet të kishte përcaktuar me kohë metodologjinë për llogaritjen e kostove të telefonisë në Shqipëri. Por mendimi im personal është se Enti nuk e ka pasur një vullnet të tillë dhe e ka zvarritur qëllimisht këtë proces. Ajo që duam të bëjmë ne me këtë projektdraft është që t‘u japim atyre të gjitha instrumentet dhe mekanizmat e nevojshëm ligjorë që të mos na nxjerrin më justifikime se nuk kanë mundësi për të ndërhyrë", shtoi Olldashi.

"Eagle" fillon në mars

Olldashi bëri të ditur se brenda muajit mars në Shqipëri do fillojë të funksionojë dhe operatori i tretë celular. Kontrata e shitjes së "Albtelekomit" detyron konsorciumin turk mes "Calik" dhe "Turk Telekom", që të fusin në treg brenda tre muajve të parë të vitit 2008 operatorin celular "Eagle Mobile". "Ne kemi pasur kontakte të vazhdueshme me shoqërinë turke dhe do të monitorojmë me kujdes respektimin e kontratës së shitjes së ‘Albtelekom‘-it", tha Olldashi. Por, qeveria po përgatitet që menjëherë pas fillimit nga puna të "Eagle Mobile" të hapë procedurat për dhënien e një licence të katërt celulare në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›