E Diel, 1 Nëntor 2026

Paradigmat e një politike të korruptuar

Në mungesë të ligjit dhe të një kontrolli të duhur, korrupsioni është i pashmangshëm.Ky është ligji i vërtetë apo lajtmotivi i një politikani abuziv në fjalë, sjellje e veprim. Kjo është paradigma e një politike të korruptuar. Dhe për ta shfrytëzuar këtë paradigmë, nga njëra anë ajo flet për respekt e zbatim ligji, nga ana tjetër sajon ligje në favor të saj apo i ndryshon ato aq shpesh sa nuk merret më vesh për çfarë bëhet fjalë. Dhe, për më tepër, e gjitha kjo shitet me orë e ditë si reformë e madhe! Dhe ndërkohë, që “propaganda” retorike apo e gjithë përkujdesja delegohet gjoja tek “velloja” e ligjit dhe e kushtetutës, të gjithë veprimet konkrete e hapat e ndërmarrë lidhen vetëm me fuqizimin e pushtetit personal, me mbështetje apo pa mbështetje ligjore, me ligje të vjetra apo të sapo miratuara. Një dukuri kjo sa e vjetër, po aq e re në botë, por sidomos në mjedisin shqiptar. Nuk është rastësi që, në një letër të shkruar gati 120 vjet më parë (në vitin 1887), Lordi Acton, një historian i famshëm për kohën e tij, ka shkruar: “pushteti tenton të korruptojë, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”...

Po të kontrollohen shpërndarja, kontrolli dhe balanca e pushtetit në Shqipërinë e sotme, prirja drejt komandës së forcës, drejt një pushteti autokratik me fasadë gjoja demokratike, e ka rritur në mënyrë të ndjeshme dhe prodhimin e korrupsionit absolut, ku ai politiku është në resht të parë. Kjo shpjegohet pa vështirësi, sepse në vend të shfrytëzimit dhe fuqizimit të mekanizmave të pavarur të kontrollit, investigimit, penalizmit e gjykimit, për të bllokuar dukuritë korruptive në rritje dhe për t’i luftuar ato nëpërmjet forcës së ligjit, prirja është krejt e kundërt. Ajo, pak a shumë, është kthyer në gjoja luftë të një njeriu, që i mbërthyer nga vetja dhe brenda të tijve, frymëzon (më saktë ngatërron) dhe të tjerët. Dhe jo vetëm brenda, por dhe jashtë vendit! Shembulli i Gërdecit flet më qartë për një “tezë” të tillë...

***

Duke e pasur korrupsionin një dukuri në shtrirje kohore, madje në rritje, pyetja që shtrohet aktualisht është: përse shoqëria jonë, nëpërmjet procesit zgjedhor mban e mbart të njëjtat problematika korruptive në zyrat e pushtetit? Përgjigje ndaj kësaj pyetjeje del akoma më e vështirë, kur sipas përvojave të jetuara, është dëshmuar se disa njerëz të zgjedhur janë krejtësisht të paaftë për të ushtruar një pushtet normal, jo vetëm e thjesht me një deformim të “llahtarshëm” të parimeve demokratike, por dhe të mbushur me plot fakte pandershmërie përkundrejt një demagogjie deri absurde.

Në disa vende, përfshirë dhe Shqipërinë, demokracia “bekohet” politikisht çdo ditë e orë, por në të shumtën e kohës ajo përjeton ngërçe të rrezikshme, dhe, në sajë të tyre, nuk rezulton as funksionale. Për fat të keq, dhe e ashtuquajtura liri e shtypit apo e shprehjes, që edhe pse nuk bllokohet drejtpërsëdrejti, shfrytëzohet më shumë nga politika, sidomos nga pushteti dhe media në shërbim të tij. Nëpërmjet saj, pushteti politik synon të glorifikojë edhe gjërat më minimale, deri detaje të parëndësishme, dhe, nga ana tjetër, të mbulojë e minimizojë gabimet e rënda. A nuk vihet re kjo me shumicë pas Gërdecit?! Nuk besoj që të nevojiten shembuj të tjerë sepse dhe ata nuk janë të pakët...

Edhe pse një rrugë e tillë, është më se e gabuar, deri diku dhe vrasëse për një media dikur të besuar, përsëri ajo evidentohet qartazi në kushtet tona! Madje, kjo lloj fiaskoje politike-mediatike bëhet akoma më problematike në afrim të zgjedhjeve, në emër jo të parimeve qytetare e demokratike, por vetëm atyre utilitare...

***

Por ka dhe një aspekt tjetër që po realizohet gradualisht në mendjen e njerëzve të thjeshtë. Kjo edhe pse ai ka një natyrë të “pastër” tragjike-komike. Sepse vetë “dënuesi” i gjithëfuqishëm, me “vigjilencën” ekstreme të stilit, të mishit e gjakut, nga frika e erës shpërhapësemerr gjithmonë e më shumë një karakter komik në veprimet e tij. Me disharmoni të plagosur synon të rrezatojë pseudo-këshilla e leksione, nga njëra anë, apokërcënime ndaj të tjerëve, nga ana tjetër. Qoftë për t’i rreshtuar, qoftë për t’i trembur! Por, dihet nga përvoja botërore, se kur shtohet disharmonia brenda vetes, shtohet, krahas kërcënimit, dhe reagimi individual e kolektiv, bile fillon edhe shit-blerja e goditja brenda klanit. A ka pasoja kolektive nga disharmonia individuale e drejtuesit? Pa dyshim që po. Në mos paqëndrueshmëri politike e sociale, perturbime dhe vonesa, tensione, dëme dhe shkatërrime i bëhen vendit në mjaft drejtime, sidomos ato ekonomike, mjedisore, psikologjike, etj.

Prandaj, kthehet në një obligim të çdo qytetari hapja e syve dhe leximi i drejtë i realitetit për të penguar që kjo lloj specie e korruptuar politike të mos arrijë më jo vetëm të uzurpojë pushtetin, por as të ndikojë në personalitetin dhe individualitetin e qytetarit. Për të mos lejuar përsëritje të historive të dhimbshme në plan individual e kombëtar. Që të diskriminohet vetë akti i diskriminimit! Vetëm kështu jeta individuale e shoqërore mund të vazhdojë me shpresën e ecjes përpara, me besimin e ndryshimit të përditshëm, përfshirë dhe mendësinë politike apo dhe mendjen qytetare nga poshtë-lart, dhe nga lart-poshtë. Në fund të fundit, është e drejta në lindje e çdo qytetari të jetojë në vendin e tij pa frikën e kërcënimit, të diskriminimit apo të represionit të padrejtë, të diferencimit partiak, etnik, etj. Dhe po aq, pa më të voglin, edhe të mos abuzimit financiar mbi të. Bile ky i fundit, i shpalosur si korrupsion politik, është dhe kërcënimi më i madh i ditëve tona!

Pavarësia nga korrupsioni i brendshëm, beteja ndaj tij është një privilegj për ata që dëshirojnë të mendojnë për qytetarët e thjeshtë dhe jo për fitimet e tyre të padrejta, për ngritjen mbi abuzimin e përvetësimin të “perandorive” vetjake të pushtetit. Prandaj dhe bekimi më i madh shkon për ata që guxojnë të ngrihen kundër pushtetit të korrupsionit, në të gjithë variantet e tij, kundër ndërtuesve të ideologjive dhe të legjislacioneve, që i sajojnë ato për të pastruar apo justifikuar pisllëqet e tyre. Përfshirë dhe “avokatët” e tyre me fytyra “naive”, që vetëm zhvlerësohen dita-ditës nga besnikëria e verbër dhe pasioni i shpalosur...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›