Rritja e pagave, ja sa përfitojnë zyrtarët e lartë
Pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit do të rriten, nga 1 Korriku, me 4.16%, gjë që do të thotë se të superpaguarit e administratës publike do të marrin nga 4500 deri në 10 mijë lekë më shumë këtë muaj. Qeveria i ndryshoi pagat e administratës së lartë duke rritur pagën e Presidentit të Republikës në ndryshimet në ligjin e buxhetit të këtij viti. Paga e Presidentit u rrit me 10 mijë lekë. Pagat e zyrtarëve të tjerë të lartë janë në raport me pagën e Presidentit, sipas një ligji të vitit 2006, gjë që do të thotë se përfitojnë të njëjtën masë rritjeje.Sipas qeverisë, rritja do t’i shërbejë zyrtarëve të lartë të mbulojnë shpenzimet e shkaktuara nga rritja e çmimeve dhe bëhet në të njëjtën masë me normën e inflacionit. Për pjesën tjetër të sektorit publik, qeveria ka premtuar një rritje më të madhe në përqindje, me qëllim që të kompensojë rritjen e kostos së jetesës. Për pensionistët, qeveria akordoi dje një fond shtesë për Institutin e Sigurimeve prej 2.6 miliardë lekësh, shifër kjo e barabartë me një rritje pensionesh prej 735 lekësh në muaj mesatarisht për pensionist.
Çfarë mund të bëjnë me pagën shtesëMe shtesa prej 735 lekësh në muaj, një pensionist do të mund të shlyejë një pjesë të faturave shtesë. Kështu, fatura mesatare e familjes shqiptare për energji elektrike u rrit me 240 lekë në muaj, ndërkohë që fatura për bukë e drithëra është rritur me 300 lekë në muaj. Pensionistët mund të paguajnë me shtesën edhe çmimin e rritur të biletave të transportit urban, kur dalin për kafe në mëngjes. Deputetët dhe zyrtarët e lartë, duket se kanë preferenca të ndryshme konsumi dhe për disa nga çmimet e rritura nuk e ndjejnë inflacionin. Shtesa në pagë prej 6100 lekësh, është në gjendje t’i mbulojë rritjen e çmimeve të kafeneve dhe restoranteve. Inflacioni qe 5% për këto shërbime në qershor. Sa për rritjen e çmimit të naftës, ata nuk preken, sepse ua mbulon buxheti. Por ndërkohë, rezulton se rritja e pagave të deputetëve nuk është në gjendje që, së paku për këtë verë, të mbulojë rritjen e kostos së pushimeve. Agjencitë turistike njoftojnë se çmimet e paketave turistike janë rritur me 10-15% këtë vit. Për paketat standard të hoteleve me pesë yje prej 700 eurosh, rezulton se deputetët nuk janë në gjendje të mbulojnë as gjysmën e çmimit të rritur me shtesën në pagë. Nga llogaritjet, rezulton se Kreu i Shtetit është më pak i paguar sesa Presidenti Amerikan, në raport me pagën mesatare, por Kryetarja e Kuvendit dhe deputetët, paguhen më shumë. Presidenti Bush merr një pagë prej 400 mijë dollarësh në vit, ose 9.52 herë më shumë sesa mesatarja e pagës së një mësuesi amerikan. Presidenti shqiptar ka një pagë shtatë herë më të lartë sesa paga mesatare e sektorit publik, që në Shqipëri është rreth 35 mijë lekë në muaj.Nga ana tjetër, deputetët shqiptarë paguhen më shumë sesa homologët e tyre kongresmenë amerikanë. Një kongresmen në SHBA, ka një pagë 3.9 herë më të lartë sesa një mësues, ndërsa deputetët shqiptarë kanë pagë 4.3 herë më të lartë. Kryeministri Berisha merr një pagë 7.2 herë më të lartë sesa mesatarja e të punësuarve të shtetit në Shqipëri, por Zëvendëspresidenti Amerikan, merr një pagë jo më të madhe se 4.95 herë mesataren e punëtorit të shtetit amerikan.