Rusi: KLGJ, masa për plotësimin e vendeve vakante të gjyqtarëve deri në vitin 2028

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, deklaroi sot se KLGJ ka ndërmarrë masat e nevojshme për plotësimin gradual të vendeve vakante në sistemin gjyqësor deri në vitin 2028, bazuar në analizën e nevojave të gjykatave.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u shqyrtua projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”, Rusi paraqiti masat e ndërmarra nga institucioni në zbatim të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit.
Ai tha se gjatë vitit 2025 është intensifikuar bashkëpunimi ndërinstitucional me institucionet e drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë, përmes takimeve të rregullta dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.
Sipas Rusit, KLGJ ka vijuar punën për përmirësimin e metodologjisë së vlerësimit të gjyqtarëve, me fokus lehtësimin e procedurave për gjyqtarët që kanë kandiduar për ngritje në detyrë ose lëvizje paralele.
“Në njësinë e vlerësimit janë rekomanduar tre gjyqtarë të rinj, çka pritet të përshpejtojë përfundimin e dosjeve dhe të rrisë numrin e raportimeve të përfunduara në procesin e vlerësimit”, u shpreh Rusi.
Rusi bëri të ditur se gjatë vitit 2025 është rekomanduar emërimi i 42 gjyqtarëve të rinj, ngritja në detyrë e 11 gjyqtarëve, prej të cilëve tetë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe tre në Gjykatën Administrative të Apelit.
Po ashtu, janë realizuar lëvizje paralele për 34 gjyqtarë dhe transferime të përkohshme për 17 të tjerë.
Rusi theksoi se për rritjen e cilësisë së drejtësisë dhe adresimin e vakancave, KLGJ ka zbatuar skemën e delegimit të gjyqtarëve, krahas emërimeve të reja dhe ngritjeve në detyrë.
Në kuadër të mbështetjes së veprimtarisë së gjykatave, Rusi njoftoi se është krijuar njësia e shërbimit ligjor në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, në gjykatat administrative dhe në gjykatat e posaçme të shkallës së parë.
Për infrastrukturën gjyqësore, Rusi tha se janë paraqitur kërkesa për fonde për ndërtimin e gjashtë godinave të reja, brenda planit afatmesëm buxhetor. Ndërkohë, godina e ish-Tatimeve po rikonstruktohet për nevojat e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Sa i përket statistikave gjyqësore, Rusi bëri të ditur se parashikohet zbatimi i projektit “zgjidhja e qendërzuar e raportimit”, i cili synon ndërtimin e një sistemi të unifikuar për raportimin, përpunimin dhe analizimin e të dhënave të sistemit të drejtësisë.
Rusi u ndal edhe te çështjet ende të pagjykuara, duke theksuar se rritja e tyre në periudha tranzicioni është një fenomen i njohur në sistemet gjyqësore që kalojnë reforma të thella strukturore, veçanërisht kur ato shoqërohen me mungesë kapacitetesh njerëzore dhe riorganizim institucional.
Rusi shtoi se numri i çështjeve në pritje në raport me popullsinë e pozicionon Shqipërinë mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian, çka evidenton një ngarkesë më të lartë të sistemit gjyqësor në raport me kapacitetet e tij.
/e.i/j.p/