Kushtetuta, ndryshimet në ligjin themeltar kërkojnë të paktën 94 vota
Për të realizuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet më parë të preket Kushtetuta e Republikës. Për të ndryshuar Kushtetutën duhet që të paktën pro kësaj nisme të votojnë 94 deputetë nga 103 që është maksimalja. Në Kushtetutë është përcaktuar qartë se kur dhe si mund të amendohet ligji themeltar, duke e sqaruar hap pas hapi gjithë procedurën. Neni 177 i Kushtetutës, pika 1, thotë se nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit, dhe në pikën 2 të këtij neni thuhet se projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Ndërsa në nenin 81 të Kushtetutës thuhet se të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës. Ato miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit dhe këtu përpos të tjerave futet edhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore, si dhe ligji për referendumet. Pikërisht për këtë pikë të Kushtetutës, e cila kërkon tre të pestat për të bërë ndryshimet në ligjin për zgjedhjet, ka nisur edhe diskutimi në politikën shqiptare mes partive të mëdha dhe partive të vogla. Pasi asnjë nga këto forca politike e vetme nuk arrin të miratojë ndryshimet që duhet të bëhen në Kushtetutë për reformën zgjedhore. Duke kërcënuar dy partitë e mëdha, partitë e vogla kanë hedhur idenë e referendumit për të miratuar këto ndryshime, për të cilin Kushtetuta ka nenet e saj. Po në nenin 177, pika 4, thuhet se Kuvendi mund të vendosë me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projekt amendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend. Pika pesë e këtij neni thotë se amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në pikën gjashtë të këtij neni thuhet se Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës. Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj. Ndërsa rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum. Në nenin 150 të Kushtetutës, pika 1, thuhet se populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t‘i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Ndërsa në pikën dy saktësohet se Kuvendi, me propozimin e jo më pak se të një të pestës së deputetëve, ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.