SHBA – Gjykata amerikane: Shumë tarifa globale të Trump të paligjshme

UASHINGTON, 30 gusht /ATSH/ – Një gjykatë apeli në SHBA ka vendosur se shumica e tarifave të lëshuara nga presidenti i SHBA-së Donald Trump janë të paligjshme, duke krijuar një përballje të mundshme ligjore që mund të përmbysë axhendën e tij të politikës së jashtme, sipas BBC.
Vendimi ndikon në tarifat “reciproke” të Trump, të vendosura mbi shumicën e vendeve anembanë botës, si dhe tarifat e tjera të vendosura mbi Kinën, Meksikën dhe Kanadanë.
Në një vendim 7-4, Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun Federal hodhi poshtë argumentin e Trump se tarifat ishin lejuar sipas një akti të fuqive ekonomike emergjente, duke i quajtur ato “të pavlefshme si në kundërshtim me ligjin”.
Vendimi nuk do të hyjë në fuqi deri më 14 tetor për t’i dhënë administratës kohë për t’i kërkuar Gjykatës së Lartë të marrë në shqyrtim çështjen.
Trump kritikoi gjykatën e apelit dhe vendimin e saj në Truth Social, duke thënëse “nëse lejohet të qëndrojë, ky vendim do të shkatërronte fjalë për fjalë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Sot një gjykatë apeli tha gabimisht se tarifat tona duhet të hiqen, por ata e dinë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fitojnë në fund”, shkroi ai. “Nëse këto tarifa do të hiqeshin ndonjëherë, do të ishte një katastrofë totale për vendin. Do të na bënte të dobët financiarisht dhe ne duhet të jemi të fortë”.
Trump i kishte justifikuar tarifat sipas Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA), i cili i jep presidentit fuqinë për të vepruar kundër kërcënimeve “të pazakonta dhe të jashtëzakonshme”.
Trump ka shpallur një emergjencë kombëtare për tregtinë, duke argumentuar se një çekuilibër tregtar është i dëmshëm për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Por gjykata vendosi që vendosja e tarifave nuk është brenda mandatit të presidentit dhe se vendosja e taksave është “një fuqi thelbësore e Kongresit”.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun Federal hodhi poshtë argumentin e Trump se tarifat ishin të lejuara sipas fuqive të tij ekonomike të emergjencës, duke i quajtur taksat “të pavlefshme si në kundërshtim me ligjin”.
Vendimi prej 127 faqesh thotë se IEEPA “as nuk përmend tarifat (ose ndonjë nga sinonimet e saj) dhe as nuk ka mbrojtje procedurale që përmbajnë kufizime të qarta mbi fuqinë e Presidentit për të vendosur tarifa”.
Prandaj, gjykata vendosi që fuqia për të vendosur taksa dhe tarifa vazhdon t’i përkasë Kongresit, dhe IEEPA nuk e anashkalon këtë. /Ad.Ab./