E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Melania Trump do të kryesojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së

LONDËR, 27 shkurt /ATSH/- Melania Trump do të bëhet gruaja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të kryesojë një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, njoftoi sot zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, sipas “Independent”.

Takimi është caktuar të hënën dhe do të fokusohet në rolin e edukimit për promovimin e tolerancës dhe paqes botërore.

Çështjet që lidhen me fëmijët në konflikte kanë qenë prioritet për Melania Trump, duke përfshirë edhe përpjekjet për ribashkimin e fëmijëve të zhvendosur nga lufta Rusi-Ukrainë me familjet e tyre.

Ngjarja vjen ndërsa administrata Trump është kritikuar për tërheqjen e SHBA-së nga organizata të OKB-së si, OBSH-ja dhe UNESCO, dhe për vonesat në pagesat e detyrimeve financiare ndaj OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar për një “kolaps financiar të afërt” të organizatës nëse të gjitha vendet nuk paguajnë detyrimet e tyre.

“Pjesëmarrja e Melania Trump shpreh rëndësinë që SHBA-ja i jep Këshillit të Sigurimit dhe temës së mbledhjes”, tha Dujarric.

Takimi do të titullohet zyrtarisht “Fëmijët, Teknologjia dhe Edukimi në Konflikte,” dhe sekretarja politike e OKB-së, Rosemary DiCarlo, do të paraqesë raportin në emër të sekretarit të përgjithshëm. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›