E Diel, 1 Nëntor 2026

RUSI – Peskov: Bisedimet e reja tripalëshe për Ukrainën në përgatitje e sipër

MOSKË, 27 shkurt /ATSH-DPA/ – Kremlini konfirmoi sot planet për negociata të reja tripalëshe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas bisedimeve të ndara të kësaj jave me të dërguarit e SHBA-së në Gjenevë.

”Sapo të bihet dakord për një datë dhe vend, do të ofrohen detaje të mëtejshme”, cituan agjencitë ruse të lajmeve zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.

Megjithatë, ai tha se “deri më tani, nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme në qëndrimet e regjimit të Kievit”.

Më parë, Ukraina kishte njoftuar bisedime për fillimin e marsit në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të enjten, kryenegociatori i Kievit, Rustem Umerov zhvilloi bisedime në Gjenevë me të dërguarin e SHBA-së, Steve Witkoff.

“Ne po punojmë për finalizimin e parametrave të sigurisë, zgjidhjeve ekonomike dhe një koordinim të pozicioneve që do të formojnë bazën për marrëveshje të mëtejshme”, postoi Umerov në Telegram.

I dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, u takua gjithashtu me Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, në Gjenevë.

Sipas Peskov, bisedimet u përqendruan përsëri në marrëdhëniet e mundshme ekonomike në të ardhmen midis Rusisë dhe SHBA-së.

Dmitriev gjithashtu informoi Presidentin rus Vladimir Putin për takimet.

Peskov tha se publiku do të informohej nëse do të kishte ndonjë rezultat.

Të martën, lufta e nisur nga Rusia në vitin 2022 hyri në vitin e saj të pestë.

Ukraina mbështetet kryesisht në miliarda euro ndihmë ushtarake të BE-së për të vazhduar mbrojtjen e saj kundër forcave pushtuese ruse./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›