KAZAKISTAN – Vuçiç: Kosova ka qenë, është dhe do të jetë Serbi

ASTANA (Kazakistan), 27 shkurt /ATSH-TANJUG/ – Kosova ka qenë, është dhe do të jetë Serbi, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç duke vënë në dukje se nuk kishte asnjë qëllim që të pranonte njohjen e Kosovës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Astana, Vuçiç komentoi akuzat e ish-diplomatit Nebojsha Vujoviç, sipas të cilit ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç kishte vizituar Uashingtonin për një takim me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marko Rubio në lidhje me dokumentet mbi njohjen e Kosovës nga Beogradi.
Vuçiç tha se takimi i Gjuriçit me Rubion kishte qenë krejtësisht i rastësishëm dhe se nuk kishte pasur plane për një takim.
“Ai pati diskutime të shkëlqyera atje. Unë nuk kam asnjë qëllim të pranoj asnjë njohje të Kosovës. Unë nuk jam Nebojsha Vujoviç, i cili do të shiste çdo pjesë të territorit serb për interesa meskine”, tha Vuçiç.
“Kosova ka qenë, është dhe do të jetë Serbi. Kaq!”, shtoi ai.
Vuçiç tha se Gjuriç kishte pasur diskutime të mira në Uashington dhe kishte marrë pjesë në një konferencë të AIPAC-ut.
”Është e rëndësishme që të ruajmë marrëdhënie të mira me hebrenjtë, si në rastin e Izraelit. Po fitojmë shumë gjëra prej tyre, shumë gjëra të rëndësishme, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Vuçiç./ a.jor.