E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Pentagoni: Në sulmet ndaj lokacioneve bërthamore iraniane u përdorën 14 bomba shkatërruese bunkerësh

UASHINGTON, 22 qershor /ATSH-DPA/- Ushtria amerikane përdori 14 bomba shkatërruese bunkerësh GBU-57 në sulmet e saj gjatë natës në lokacionet kryesore bërthamore iraniane, tha sot Pentagoni.

“Bombat e fuqishme u hodhën në dy objekte bërthamore”, tha shefi i Shtabit të Përbashkët Dan Caine gjatë një konference për shtyp, disa orë pasi SHBA-ja ndërhyri në konfliktin kundër Iranit në emër të Izraelit.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se avionët amerikanë sulmuan tre lokacione bërthamore në Iran gjatë natës, duke përfshirë “Natanz”, “Isfahan” dhe objektin e pasurimit të uraniumit “Fordow” – që besohet gjerësisht të jetë një nga objektivat më te rëndësishme të luftës së Izraelit.

Ky akt shënon një përshkallëzim serioz në luftën midis Izraelit dhe Iranit, mes frikës tashmë të shtuar për një konflikt më të gjerë rajonal.

Irani tha se ndërhyrja e SHBA-së do të çonte në “pasoja të përjetshme”, mes shqetësimeve se Irani mund të hakmerret duke shënjestruar bazat amerikane në rajon.

Izraeli nisi sulmet ajrore në të gjithë Iranin më 13 qershor, duke thënë se qëllimi i tij ishte të parandalonte Iranin nga ndërtimi i një arme bërthamore – një akuzë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›