SHBA – Shtëpia e Bardhë: Trump kërkon armëpushim të përhershëm në Ukrainë

UASHINGTON, 28 prill /ATSH-AFP/ – Shtëpia e Bardhë deklaroi sot se presidenti amerikan, Donald Trump dëshironte një armëpushim të përhershëm në Ukrainë dhe jo vetëm një armëpushim të përkohshëm si ai i shpallur po sot nga presidenti rus, Vladimir Putin për tre ditë, nga data 8 deri më 10 maj.
”Presidenti Trump e ka bërë të qartë se dëshiron një armëpushim të përhershëm”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një konferencë për shtyp.
”Ndërsa ai mbetet optimist se mund të arrijë një marrëveshje, ai është gjithashtu realist dhe të dy udhëheqësit duhet të ulen në tryezën e negociatave për të dalë nga kjo situatë”, shtoi ajo.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim treditor, në prag të 80-vjetorit të fitores kundër nazi-fashizmit.
”Armëpushimi do të zgjasë nga mesnata e 7-8 majit deri në mesnatën e 10-11 majit”, sipas Kremlinit.
“Me vendim të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Vladimir Putin, për arsye humanitare nga mesnata midis 7 dhe 8 majit deri në mesnatën midis 10 dhe 11 majit, pala ruse shpall armëpushim. Të gjitha veprimet ushtarake pezullohen gjatë asaj periudhe”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Rusia tha se beson se pala ukrainase do ta ndjekë këtë shembull./ a.jor.