E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – SIPRI: Rritje e paprecedent e shpenzimeve ushtarake në botë

STOKHOLM, 28 prill /ATSH/ – Shpenzimet botërore ushtarake arritën në 2718 miliardë dollarë në vitin 2024, që paraqet një rritje prej 9.4 për qind në terma realë krahasuar me vitin 2023 dhe është rritja më e madhe vjetore që nga të paktën fundi i Luftës së Ftohtë.

Kështu thuhet në raportin e ri të publikuara më 28 prill nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI). Sipas raportit, shpenzimet ushtarake janë rritur në të gjitha rajonet e botës dhe një rritje e shpejtë është regjistruar veçmas në Evropë dhe Lindje të Mesme.

Pesë shpenzuesit kryesorë ushtarakë – Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Gjermania dhe India – përbëjnë 60 për qind të shpenzimeve globale, dhe së bashku këto shtete kanë shpenzuar 1635 miliardë dollarë.

Rritja më e madhe e shpenzimeve globale ushtarake që nga fundi i Luftës së Ftohtë

SIPRI tha se ky është viti i dhjetë me radhë që shënohet rritje globale e shpenzimeve ushtarake. Sipas raportit, 15 vendet që kanë shpenzimet më të mëdha ushtarake në botë, gjatë vitit 2024 që të gjitha i rritën shpenzimet e tyre ushtarake. Barra ushtarake globale – Bruto Prodhimi i Brendshëm global që i dedikohet shpenzimeve ushtarake – u rrit në 2.5 për qind në vitin 2024.

“Mbi 100 shtete në mbarë botën rritën shpenzimet e tyre ushtarake më 2024. Përderisa qeveritë gjithnjë e më shumë po e bëjnë prioritet sigurinë ushtarake, shpesh në kurriz të sektorëve të tjerë buxhetorë, kompromiset ekonomike dhe sociale mund të kenë pasoja të rëndësishme për shoqëritë në vitet në vijim”, tha Xiao Liang, hulumtues në Programin për shpenzime ushtarake dhe prodhim të armëve në SIPRI.

Rritja e shpenzimeve ushtarake në Evropë

Sipas SIPRI-t, shpenzimet ushtarake në Evropë, përfshirë Rusinë, u rritën për 17 për qind në 693 miliardë dollarë dhe shtetet evropiane ishin kontribuuesit kryesorë të rritjes globale të shpenzimeve ushtarake më 2024.

Me luftën në Ukrainë që është në vitin e tretë, shpenzimet ushtarake vazhduan të rriten në mbarë kontinentin, duke bërë që niveli i shpenzimeve evropiane të kalojë nivelin rekord të regjistruar në fund të Luftës së Ftohtë.

Sipas SIPRI-t, të gjitha shtetet evropiane rritën shpenzimet e tyre ushtarake, përveç Maltës.

Shpenzimet ushtarake të Rusisë arritën në rreth 149 miliardë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 38 për qind krahasuar me vitin 2023. Kjo shifër njëherësh paraqet dyfishim të nivelit të shpenzimeve ushtarake krahasuar me vitin 2015. Kjo shifër përbën 7.1 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm së Rusisë dhe 19 për qind të të gjitha shpenzimeve të Qeverisë ruse.

Shpenzimet e vendeve të NATO-s

Të gjitha vendet anëtare të NATO-s, sipas SIPRI-t, rritën shpenzimet e tyre ushtarake në vitin 2024. Shpenzimet totale ushtarake nga vendet anëtare të NATO-s arritën 1506 miliardë dollarë, që përbën 55 për qind të shpenzimeve ushtarake globale.

Nga 32 vendet anëtare të NATO-s, 18 shpenzuan të paktën 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për ushtrinë e tyre, nga 11 vende sa ishin në vitin 2023, duke shënuar numrin më të lartë që nga miratimi i këtij udhëzimi të shpenzimeve në vitin 2014.

Shpenzimet ushtarake të SHBA-së u rritën me 5.7 për qind, duke arritur 997 miliardë dollarë, që paraqet 66 për qind të shpenzimeve të NATO-s dhe 37 për qind të shpenzimeve ushtarake botërore në vitin 2024. Një pjesë e madhe e buxhetit të SHBA-së për vitin 2024 iu dedikua modernizimit të kapaciteteve ushtarake dhe arsenalit bërthamor, me qëllim ruajtjen e avantazhit strategjik ndaj Rusisë dhe Kinës.

Rritje e shpenzimeve ushtarake në Lindjen e Mesme

Shpenzimet ushtarake në Lindjen e Mesme arritën në rreth 243 miliardë dollarë në vitin 2024, që paraqet një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin 2023 dhe 19 për qind më shumë sesa në vitin 2015.

Shpenzimet ushtarake të Izraelit u rritën me 65 për qind, duke arritur 46.5 miliardë dollarë – rritja vjetore më e madhe që nga Lufta Gjashtëditore në vitin 1967 – në kohën kur ky shtet vazhdonte luftimet në Gaza dhe përshkallëzonte konfliktin me Hezbollahun në jug të Libanit. Barra ushtarake e Izraelit (shpenzimet ushtarake si përqindje e Bruto Prodhimit të Brendshëm) u rrit në 8.8 për qind, niveli i dytë më i lartë në botë, u tha në raportin e SIPRI-t.

Kina vazhdon rritjen e shpenzimeve ushtarake

Kina, vendi i dytë më i madh në botë sa i përket shpenzimeve ushtarake, i rriti shpenzimet me 7 për qind në vitin 2024, duke arritur në rreth 314 miliardë dollarë. Pekini shënon rritje tridekadëshe të njëpasnjëshme.

Kina – ekonomia e dytë më e madhe në botë pas SHBA-së – ka 50 për qind të shpenzimeve ushtarake në Azi dhe Oqeani, teksa Pekini ka investuar në modernizimin e ushtrisë, zgjerimin e kapaciteteve të luftës kibernetike dhe arsenalin bërthamor, shkruan REL.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›