E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Emigrantët pa dokumente nuk duhet të kenë të drejtën e gjyqit

UASHINGTON, 23 prill /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump tha dje se emigrantët pa dokumente nuk duhet të kishin të drejtën e gjyqit, duke këmbëngulur se administrata e tij duhej të ishte në gjendje t’i dëbonte ata pa u paraqitur para një gjykatësi.

Trump tha se ai kishte “të drejtë” të dëbonte emigrantët pa gjyq – pas urdhrit të Gjykatës së Lartë të SHBA në fundjavë që bllokoi përkohësisht dëbimin e dhjetëra venezuelianëve.

Qeveria amerikane akuzon venezuelianët në fjalë si anëtarë të organizatës kriminale “Tren de Aragua” dhe vendosi t’i dëbonte ata duke përdorur “Aktin e Armiqve të huaj” të vitit 1798 – një ligj i diskutueshëm dhe më parë i përdorur rrallë që lejon presidentin të dëbojë të huajt gjatë luftës ose pushtimit.

Gjykata e Lartë e udhëzoi qeverinë të shtunën të mos largonte asnjë anëtar të klasës së supozuar të të burgosurve nga SHBA-ja deri në urdhër tjetër – pas një aplikimi urgjent nga Unioni Amerikan për Liritë Civile, i cili argumentonte se individëve nuk u ishte ofruar procesi i duhur.

Presidenti amerikan përsëriti pretendimet e pabaza se vendet, përfshirë Venezuelën, po dërgonin të burgosurit e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ai duhej të anashkalonte kërkesat kushtetuese të procesit të rregullt për t’i dëbuar ata shpejt.

Trump ka ndjekur një linjë të ashpër për imigracionin që nga marrja e detyrës në janar.

Muajin e kaluar, autoritetet amerikane deportuan më shumë se 200 venezuelianë dhe dhjetëra salvadoranë në burgun famëkeq CECOT të sigurisë së lartë, në El Salvador. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›