SHBA – Trump njofton rritje të tarifave prej 25% ndaj importeve nga Japonia dhe Koreja e Jugut

UASHINGTON, 7 korrik /ATSH/ – Presidenti Donald Trump tha sot se SHBA-ja do të vendosë një tarifë prej 25% ndaj importeve nga Japonia dhe Koreja e Jugut – duke filluar nga 1 gushti, ndërsa prezantoi dy letrat e para nga ato që ai ka thënë se do të jenë një valë letrash drejtuar partnerëve tregtarë, ku shpjegohen taksat e reja me të cilat ata do të përballen, sipas AP.
“Mallrat e importuara në SHBA nga Japonia, Koreja e Jugut, Malajzia dhe Kazakistani tani do të përballen me tarifa prej 25%, sipas letrave që Trump postoi në Truth Social.
Norma për Korenë e Jugut është e njëjtë me atë që Trump njoftoi fillimisht më 2 prill, ndërsa norma për Japoninë është 1 pikë më e lartë se ajo e njoftuar fillimisht.
Deri më tani janë arritur vetëm dy marrëveshje, me Britaninë e Madhe dhe Vietnamin.
Masat e tij kanë tronditur vazhdimisht tregjet financiare dhe i kanë bërë politikëbërësit të përpiqen të mbrojnë ekonomitë e tyre.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent tha sot se do të bënte disa njoftime për tregtinë gjatë 48 orëve të ardhshme, duke shtuar se posta e tij elektronike ishte mbushur me oferta nga vendet që përpiqen të arrijnë një marrëveshje për tarifat para afatit të 9 korrikut.
Nuk u bë e qartë nëse letra të tjera drejtuar liderëve – do të bëheshin publike përpara afatit të së mërkurës.
Trump e ka lënë pjesën më të madhe të botës në pritje – lidhur me rezultatin e bisedimeve disamujore me vendet që shpresojnë të shmangin rritjen e konsiderueshme të tarifave që ai ka paralajmëruar.
“Kemi pasur shumë njerëz që kanë ndryshuar qasje në lidhje me negociatat. Duke nisur që mbrëmë posta ime elektronike ishte me plot oferta të reja, shumë propozime të reja”, tha Bessent në një intervistë për “CNBC”.
“Prandaj, do të jenë disa ditë të ngarkuara”. shtoi ai /Ad.Ab./ /a.i/