SHBA-të sekuestrojnë një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës

Forcat amerikane kanë sekuestruar një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës. Lajmi është bërë me dije nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili shtoi se kjo anije cisternë është më e madhja që është sekuestruar ndonjëherë.
Ky veprim, ka shënuar një përshkallëzim të mprehtë në fushatën e presionit të Uashingtonit kundër qeverisë së Nicolás Maduro.
“Sapo kemi sekuestruar një anije cisternë në bregdetin e Venezuelës, një anije cisternë e madhe, shumë e madhe, në fakt më e madhja e sekuestruar ndonjëherë”, deklaroi Trump.
Duke publikuar një video të sekuestrimit, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi e përshkroi anijen si një “cisternë nafte bruto të përdorur për të transportuar naftë të sanksionuar nga Venezuela dhe Irani”.
Bondi shtoi se Byroja Federale e Hetimeve, Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Roja Bregdetare e SHBA-së koordinuan sekuestrimin.
“Për shumë vite, cisterna e naftës është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes së saj në një rrjet të paligjshëm të transportit të naftës që mbështet organizatat e huaja terroriste”, shkroi Prokurorja e Përgjithshme në rrjetin social X.
Karakasi e denoncoi menjëherë veprimin, duke e quajtur atë një akt “piraterie ndërkombëtare”. Më parë, Presidenti Maduro deklaroi se Venezuela nuk do të bëhej kurrë një “koloni nafte”.
Administrata Trump akuzon Venezuelën për futjen e narkotikëve në SHBA dhe ka intensifikuar përpjekjet e saj për të izoluar Presidentin Maduro në muajt e fundit.
Venezuela (vendi ku ndodhen disa nga rezervat më të mëdha të naftës në botë) nga ana tjetër ka akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të vjedhë burimet e saj.
/rtsh.al/