E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli miraton gati 800 njësi banimi në tre vendbanime të pushtuara në Bregun Perëndimor. Autoriteti Palestinez e dënon vendimin

Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për ndërtimin e 764 njësive të reja banimi në tre vendbanime në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, e bëri të ditur vendimin të mërkurën, duke theksuar se që nga fillimi i mandatit të tij në fund të vitit 2022, Këshilli i Lartë i Planifikimit ka miratuar rreth 51,370 njësi banimi në këtë territor, të cilin palestinezët e shohin si pjesë të shtetit të tyre të ardhshëm.

Autoriteti Palestinez e ka dënuar ashpër këtë hap, duke e cilësuar si minim të përpjekjeve rajonale për paqe.

Agjencia shtetërore palestineze WAFA raportoi se zyrtarët palestinezë i kanë bërë thirrje administratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndalur politikat e vendbanimeve dhe përpjekjet për aneksim.

Zëdhënësi i presidentit palestinez, Nabil Abu Rudeineh, deklaroi se Uashingtoni duhet ta detyrojë Izraelin të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe legjitimitetin ndërkombëtar.

Njësitë e reja do të ndërtohen në Hashmonaim, pranë Vijës së Gjelbër, si dhe në Givat Zeev dhe Beitar Illit, afër Jerusalemit.

Shumica e fuqive botërore i konsiderojnë vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara pas luftës së vitit 1967 si të paligjshme, ndërsa rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë ndërtimet.

“Për ne, të gjitha vendbanimet janë të paligjshme dhe bien ndesh me të gjitha rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar,” tha Wasel Abu Yousef, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Nga ana tjetër, Izraeli argumenton se vendbanimet janë të domosdoshme për sigurinë e tij dhe se kanë lidhje biblike, historike dhe politike me territorin.

Ndërkohë, raportet e OKB-së tregojnë për një rritje të ndjeshme të sulmeve nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve. Vetëm në tetor u regjistruan 264 incidente, shifra më e lartë mujore që kur OKB filloi të monitorojë këto raste në vitin 2006.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›