E Diel, 1 Nëntor 2026

Vengu prezanton buxhetin historik të Mbrojtjes: 59 miliardë lekë për forcimin e ushtrisë, rritjen e pagave dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një video-mesazh të bërë publik sot para nisjes së seancës plenare, deklaroi se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2025 është “historik” si për nga përmasat, ashtu edhe për projektet që ai financon.

“Sot në Kuvend paraqesim përpara sovranit një buxhet historik, historik nga përmasat dhe historik nga projektet që ai financon. Një buxhet që siguron pensione më të larta, paga më të larta për të gjithë shqiptarët, më shumë zhvillim ekonomik, më shumë investime publike, një buxhet, i cili siguron mirëqenie dhe forcim të shtetit shqiptar,” u shpreh ministri.

Ai theksoi se buxheti i mbrojtjes arrin në 59 miliardë lekë, duke përfaqësuar për herë të parë 2.12 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe sipas tij është më i madhi në 35 vitet e fundit.

“Buxheti i Mbrojtjes është po ashtu historik,më i madhi në 35 vitet e fundit. Në këtë mënyrë vijojmë punën tonë për fuqizimin e kapitalit njerëzor, për të ndjekur zotimin e politikës së rritjes së pagave dhe për të kapur mesataren e vendeve të NATO-s brenda këtij mandati,” tha Vengu.

Ministri shtoi se përmes këtij projekt-buxheti sigurohen investime në gadishmërinë e Forcës Ajrore, Forcës Detare, Forcave Speciale dhe Komandës së re Kibernetike, duke rritur kapacitetet operacionale dhe luftarake të ushtrisë shqiptare.

“Me 720 rekrutë të rinj viti 2025 dëshmon se Forca e Armatosur është kthyer në një mundësi tërheqëse për të rinjtë shqiptar për formimin e tyre akademik dhe profesional. Me kampusin e Akademisë së Forcave të Armatosura, me shkollën e re të aviacionit dhe me qendrën e re stërvitore në Bunavi synojmë të kthejmë inovacionin në çdo qelizë të formimit akademik dhe të zhvillimit profesional të rekrutëve tanë,” u shpreh ai.

Një pjesë e rëndësishme e buxhetit është dedikuar edhe Emergjencave Civile, për të forcuar kapacitetet e reagimit dhe përballimit të fatkeqësive natyrore.

“Ky buxhet siguron që të qëndrojmë pranë komuniteteve pranë bashkive duke fuqizuar Emergjencat Civile me më shumë financim dhe mbështetje institucionale. Fillojmë punën për ndërtimin e dy qendrave rajonale të Emergjencave Civile në Krane dhe në Bushat, sikundër dhe rinovimin e flotës kombëtare zjarrëfikse nga industria e ringritur ushtarake ‘Made in Albania” tha ministri.

Ai e cilësoi prodhimin ushtarak vendas si një motor të ri për ekonominë shqiptare.

“Prodhimi ushtarak vendas nuk është thjeshtë një nevojë e kohës, është një motor i ri për ekonominë shqiptare. Zhvillimi i kësaj industrie me prodhimin e municioneve, mjeteve të blinduara, mjeteve taktike, uniformave, dronëve dhe sistemeve antidron siguron një modernizim afatgjatë të Forcës së Armatosur,” theksoi Vengu.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ministri e konsideroi miratimin e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes si një hap historik për vendin.

 “Miratimi i këtij buxheti nuk është vetëm një veprim politik, por një akt kombëtar. Përmes tij çelim një kapitull të ri për Forcat e Armatosura, për Emergjencat Civile, për një Shqipëri më të fortë, për një Shqipëri më të sigurt,” përfundoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›