SIRI – Alepo në ditën e tretë të përleshjeve midis ushtrisë siriane dhe SDF-së të udhëhequr nga kurdët

DAMASKË, 8 janar /ATSH-DPA/- Përleshjet e ashpra midis forcave të udhëhequra nga kurdët dhe trupave qeveritare kanë vazhduar në ditën e tyre të tretë, në qytetin verior sirian të Alepos.
Ky është konflikti më i rëndë – i parë ndonjëherë në qytetin e dytë më të madh të Sirisë – që nga përmbysja e sundimtarit Bashar al-Assad në fund të vitit 2024, tha Rami Abdel Rahman, kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Komiteti Qendror i Reagimit në Alepo tha se rreth 142 000 persona ishin zhvendosur nga lagjet “Sheikh Maqsoud” dhe “Ashrafieh”, si dhe zonat e banimit aty pranë, duke përfshirë rreth 13 000 banorë vetëm sot.
Një zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, Farhad al-Shami, tha se shifrat qeveritare ishin të ekzagjeruara.
Sipas autoriteteve lokale, janë ngritur strehimore të përkohshme emergjente në Alepo dhe zonat përreth, ndërsa banorët e plagosur mbetën të bllokuar në lagjet e prekura – që u shpallën zona ushtarake dhe të kufizuara nga ushtria siriane, një ditë më parë.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha dje se ishin zhvendosur mbi 30 000 banorë.
Pas një afati të evakuimit, ushtria siriane bombardoi objektivat e përcaktuara më parë në dy distrikte kurde.
“SDF u përgjigj me mortaja dhe raketa, duke plagosur të paktën pesë civilë”, tha zyrtari.
“Që nga e marta, të paktën 12 civilë janë vrarë, ndërsa katër anëtarë të forcave qeveritare dhe një luftëtar kurd kanë vdekur gjithashtu. Më shumë se 60 persona janë plagosur”, sipas observatorit. //a.i/