SLLOVAKI – Guvernatori i Bankës Qendrore, Kazimir dënohet për korrupsion

BRATISLAVË, 29 maj /ATSH-DPA/- Guvernatori i Bankës Kombëtare të Sllovakisë dhe ish-ministri i Financave, Peter Kazimir – u dënua sot nga një gjykatë speciale përgjegjëse për rastet e korrupsionit.
Avokati i tij njoftoi një apel kundër vendimit, në të njëjtën ditë.
Si kreu i bankës qendrore të Sllovakisë, Kazimir përfaqëson gjithashtu vendin në eurozonë në Këshillin e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).
Gjykata speciale në Pezinok, pranë Bratislavës, e shpalli kreun e bankës qendrore fajtor për pranim dhe dhënie ryshfetesh gjatë kohës që shërbente si ministër i Financave.
“Ai dyshohet se ka mundësuar që sipërmarrësit pranë tij të favorizoheshin në mënyrë të paligjshme në procedurat tatimore”, sipas akuzave.
Në vendimin fillestar jo-përfundimtar, Kazimir do të paguajë një gjobë prej 200,000 eurosh (227,050 dollarë) ose do të vuajë një vit burg.
Avokati i tij kritikoi procedurat gjyqësore si “të paligjshme”, duke pretenduar se ato bazoheshin në “akuza të fabrikuara” nga një dëshmitar i vetëm.
Ai nuk përjashtoi paraqitjen e një ankese në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. //a.i/