SOFT NEWS – Gëzuar 750-vjetorin Amsterdam!

AMSTERDAM, 27 tetor /ATSH-DPA/ – Qyteti i Amsterdamit festoi sot 750-vjetorin e tij me një tortë gjigante, festime në të gjithë qytetin dhe një koncert ku mori pjesë familja mbretërore holandeze.
Kryetarja e bashkisë, Femke Halsema i nisi festimet në orën 07:50 në sheshin ”Dam”, sheshi qendror i qytetit, duke prerë një tortë me krem 75 metra të gjatë, të zbukuruar me ngjyrat e kuqe dhe të bardha të Amsterdamit dhe stemën e qytetit.
Torta u shpërnda më pas në të gjitha lagjet e qytetit.
Për të festuar këtë moment historik, u mbajtën gjithashtu koncerte në të gjithë Amsterdamin.
Festimet do të kulmojnë me një koncert të madh jashtë ”Rijksmuseum”, muzeut kombëtar të Holandës, ku do të marrin pjesë edhe mbreti Willem-Alexander, mbretëresha Máxima dhe princesha e kurorës, Amalia.
Artistë të shquar holandezë do të performojnë nën një tendë të madhe të ngritur në sheshin e muzeut.
Ngjarja më e rëndësishme për afërsisht 800 000 banorët e qytetit ishte një festival veror i mbajtur në unazën e Amsterdamit, e cila u mbyll për trafikun për 24 orë.
Banorët u ftuan të shëtisnin, të hanin, të pinin dhe të kërcenin përgjatë autostradës, ku u martuan 75 çifte dhe u mboll një pyll i përkohshëm me 750 pemë.
Edhe pse Amsterdami është shumë më i vjetër, data zyrtare e themelimit të tij është 27 tetori 1275, kur konti Florentius V u dha banorëve të drejtën për të transportuar mallra përmes ujërave holandeze pa paguar taksa.
Njerëzit jetonin tashmë përgjatë lumit Amstel që në vitin 1170./ /os/