SPANJË – Ish-politikani ukrainas pro rus qëllohet për vdekje jashtë një shkolle në Madrid

MADRID, 21 maj /ATSH-DPA/- Avokati dhe politikani ukrainas Andriy Portnov, i cili dikur shërbeu si këshilltar i ish-presidentit pro rus Viktor Yanukovych, u qëllua dhe u vra sot në një rrugë të Madridit.
“Portnov, 51 vjeç, u vra me pesë të shtëna, disa prej tyre në kokë”, konfirmoi sot policia në kryeqytetin spanjoll.
“Vrasja ndodhi pranë Shkollës Amerikane, ku Portnov kishte lënë fëmijët e tij”, sipas raporteve të medias.
Portnov, i cili vinte nga Ukraina lindore, punoi si konsulent dhe zëvendësdrejtor i zyrës presidenciale gjatë presidencës së Yanukovych – midis viteve 2010 dhe 2014, duke mbajtur përgjegjësinë për ristrukturimin e sistemit gjyqësor ukrainas.
Përpara kësaj, ai ishte anëtar i parlamentit për partinë e ish-kryeministres, Yulia Timoshenko.
Pas rrëzimit të Yanukovych në vitin 2014, ai jetoi disa vite në mërgim në Rusi, duke u kthyer në Ukrainë – pak kohë përpara se Volodymyr Zelensky të zgjidhej president në vitin 2019.
Ai u largua sërish nga vendi pas pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, por këtë herë, në Perëndim.
Muajt e fundit në Ukrainë, ai kishte tërhequr vëmendjen për veprimet e suksesshme ligjore kundër mediave që e quajtën atë “pro-rus”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj tij në vitin 2021. Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj tij u hoqën pas veprimeve të suksesshme ligjore. //a.i/