BRUKSEL – BE premton 50 milionë euro ndihmë humanitare për Gazën dhe Bregun Perëndimor

BRUKSEL, 21 maj /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian njoftoi sot një ndihmë shtesë prej 50 milionë eurosh (56,7 milionë dollarë) për Gazën dhe Bregun Perëndimor, si pjesë e një pakete më të gjerë të ndihmës për rajonin.
“Fondi, i cili do t’i vihet në dispozicion organizatave të ndihmës në rajon, ka për qëllim të ndihmojë në përmbushjen e nevojave urgjente dhe të lehtësojë vuajtjet e palestinezëve”, tha komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib.
Financimi i ri e çon totalin e ndihmës humanitare për Gazën dhe Bregun Perëndimor në vitin 2025 – në 170 milionë euro.
Komisioni Evropian tha se do të ofronte 20 milionë euro shtesë si ndihmë humanitare për Sirinë – për të mbuluar mbështetjen bazë si ushqimin dhe kujdesin shëndetësor – duke e çuar totalin për këtë vit në 202,5 milionë euro.
“Në Siri, ne po rrisim fondet për verilindjen, ku njerëzit kanë nevojë urgjente për kujdes shëndetësor dhe mbrojtje – dhe ne po e bëjmë këtë me neutralitet dhe pa asnjë diskriminim”, tha Lahbib.
Gjithashtu, Lahbib tha se Libanit i ishin ofruar edhe 13 milionë euro shtesë.
“Në Liban, ndërsa familjet përpiqen të përballojnë armëpushim – ne po rrisim ndihmën me elementët bazë si ushqimi dhe kujdesi mjekësor – veçanërisht për refugjatët sirianë dhe komunitetet libaneze”, tha komisionerja e BE-së. //a.i/