E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistë ne rrugët e kalldrëmta, Gjirokastra pret mijëra vizitorë përgjatë sezonit veror

Gjirokastra vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj, të cilët çdo ditë zgjedhin të vizitojnë qytetin e gurtë dhe monumentet e tij.

“Gjirokastra është një qytet i mrekullueshëm. Arkitektura është unike, rrugët janë shumë të bukura dhe njerëzit janë mikpritës. E shijuam shumë vizitën dhe do të riktheheshin patjetër”, tha një turiste.

“Erdhëm këtu sepse kishim dëgjuar shumë për Gjirokastrën. Kalaja, pazari i vjetër dhe shtëpitë karakteristike i tejkaluan pritshmëritë tona. Është një vend që të gjithë duhet ta vizitojnë”, u shpreh një turist..

Për të përballuar fluksin në rritje të vizitorëve dhe për t’ua bërë eksperiencën sa më të lehtë, Bashkia e Gjirokastrës po vijon ndërhyrjet në infrastrukturën turistike, duke përmirësuar sinjalistikën orientuese, hapësirat publike dhe elementë të tjerë që lehtësojnë lëvizjen dhe orientimin e turistëve në qytet.

“Hapat e para që janë ndërmarrë nga bashkia në pjesën e zonës muzeale kanë qenë vendosja e tabelave orientuese që ka ndryshuar qasjen në të gjithë qytetin si edhe e tabelave që ndodhen në sheshin Çerçiz Topulli që tregojnë të gjithë hartën e qytetit si dhe pikat më të vizituara për turistët. Ka qenë rritja e fondit të bashkisë për pjesën e printimeve të hartave orientuese për të gjithë qytetin. Është gjë diçka shumë e rëndësishme për turistët”, tha Kristina Gushi, nënkryetare e bashkisë Gjirokastër.

Ndërhyrjet që po kryhen synojnë t’u ofrojnë turistëve një vizitë më të lehtë dhe më cilësore, ndërsa Gjirokastra vijon të forcojë pozicionin e saj si një nga destinacionet më të preferuara turistike në vend.

Gazetare: E. Domeri  

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›