E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët matanë Ibrit bllokojnë trenin

Serbët e veriut të Kosovës po tentojnë të marrin nën kontroll të gjitha institucionet që gjenden në këtë pjesë të shtetit më të ri të Evropës. Një grup prej 50 serbësh ndaloi një tren me pasagjerë të linjës Fushë-Kosovë - Leshak, në Zveçan, një komunë që shtrihet në veri e udhëhiqet nga serbët. Ngjarja ndodhi herët në mëngjes dhe dukej se ishte e organizuar mirë. Punëtorët deklaruan se kjo pjesë e hekurudhave tashmë është vënë në kontrollin e tyre: "Ne kemi vendosur si departament i veriut të ndahemi nga pjesa tjetër e Kosovës, sepse për ne Zveçani është Serbi dhe do të mbetet në Serbi", kanë thënë përfaqësuesit zyrtarë të punëtorëve. Treni ka qëndruar i ndaluar vetëm për pak kohë dhe më pas është nisur sërish. Branislav Ristivojeviç, këshilltar i Kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, dhe kreu i hekurudhave serbe, deklaroi se kanë marrë nën kontroll 50 km hekurudhë në pjesën veriore të Kosovës. Ndërsa policia e SHPK-së e paraqiti këtë veprim si të kotë dhe të panevojshëm. Edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, deklaroi për "Shqip" se ky është një veprim irracional, pasi treni në fjalë më shumë se kujtdo tjetër u shërben serbëve që jetojnë në Fushë-Kosovë. Veprimi më i fundit në lidhje me hekurudhat është një shenjë e qartë për vendosjen nën kontroll të të gjitha institucioneve në pjesën veriore nga ana e qeverisë serbe dhe tendencë e hapur për shkëputje të territorit. Momentalisht, në veri nuk po funksionon as gjykata dhe situata mbetet e tensionuar. Bojkoti serb mori edhe bekimin e kishës ortodokse. Peshkoi Artemie, që është kreu i kishës ortodokse për Kosovën, i njohur për frymën e tij radikale u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të mos njohin institucionet e BE-së, që pritet të instalohen në Kosovë. Ai madje kërcënoi edhe priftërinjtë dhe murgjit se ndëshkime të ashpra do t‘i presin ata që nuk respektojnë këtë kërkesë. Reagimet e serbëve pas shpalljes së pavarësisë po intensifikohen nga dita në ditë. Banorët serbë të Graçanicës, në orën 12:00 zhvilluan një protestë ku kërkonin respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Ata kërkuan rikthimin e policëve serbë në radhët e SHPK-së, por nën komandën e UNMIK-ut. Mes protestuesve shiheshin edhe policët serbë të këtij stacioni, që të shtunën dorëzuan armët dhe ID-të. Në protestë u njoftua edhe krijimi i Shtabit të Krizës për Sigurinë. Ata kërkuan që UNMIK të dërgojë policë të tij në të gjitha zonat ku jetojnë serbë, e po kështu edhe trupat e KFOR-it. Në listën e kërkesave të serbëve bënin pjesë edhe takime urgjente me kreun e UNMIK-ut, Joakim Ryker, dhe komandantin e KFOR-it, Havier But de Marnak. Pjesëmarrësit paralajmëruan se protesta të ngjashme do të zhvillohen çdo ditë në orën 12:00, në të gjitha pjesët e Kosovës ku jetojnë serbët.

Artemie:

Të ndërpriten kontaktet me institucionet

Peshkopi serb Rashkë-Prizren Artemie ka urdhëruar klerin dhe besimtarët që të ndërpresin çdo kontakt me institucionet e Kosovës, me përfaqësuesit e misionit të BE-së dhe të shteteve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Njëherësh Artemie urdhëron që të mos pranohen në vizitë dhe të mos përgjigjen në ftesat e institucioneve të Kosovës. "Mosrespektimi dhe gabimet ndaj këtij vendimi në cilëndo formë do të sanksionohen rreptësish", kërcënon peshkopi serb, Artemie, klerin ortodoks serb dhe besimtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›