E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, skema e re e pagesës

Skema e pensioneve pritet të përfshihet në një revolucion të vërtetë. Ekspertë të fushës po hedhin idenë e privatizimit të pensioneve, duke u dhënë mundësi atyre që marrin paga të larta, për një masë përfitimi më të lartë. Deri tani janë propozuar tri variante, ku çdokush mund të zgjedhë sipas nevojës dhe mundësisë, por mbi të gjitha, të garantohet masa e përfitimit në moshën e tretë, e cila duhet të përputhet me kontributin. Ministri i Financave, Ridvan Bode, me mbështetjen e Bankës Botërore ka prezantuar dje skemat e qëndrueshme bashkëkohore të pensioneve, të cilat bazohen në tri shtylla. Të pranishëm ishin drejtues nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, përfaqësues të forcave politike, si edhe ekspertë të fushës nga vendi e rajoni.

Variantet

Kështu, shtylla e parë, përmes së cilës qeveria kryesisht synon të garantojë mbrojtjen e të moshuarve nga varfëria. Kjo shtyllë duhet të jetë e detyrueshme e nën administrim tërësisht shtetëror dhe është pjesë e funksionit rishpërndarës të shtetit. Sipas draftit të hartuar nga BB me një grup nga ministria, në këtë shtyllë parashikohet të përfshihen kryesisht moshat madhore, 55 vjeç e sipër, të cilët janë të detyruar t‘i derdhin kontributet në shtet.

Shtylla e dytë, e cila mundëson zgjedhjen individuale për një shpërndarje për gjithë jetën të konsumit të tij. Kjo shtyllë mund të jetë private ose publike dhe bazohet mbi kapitalizimin apo rishpërndarjen, por duhet të jetë qartazi e ndarë nga shtylla e parë. Kjo është forma më e debatueshme, pasi i paraqet të dyja anët e medaljes. Kështu, nëse aplikohet kjo skemë, paguan përfitime më të larta kur popullsia plaket, pasi është e qëndrueshme nga ana fiskale, në periudha afatgjata dhe më pak e prekshme nga manipulimet politike. Por, sipas ekspertes së BB-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj. Anita M. Schwarz, "aplikimi i kësaj skeme kërkon infrastrukturë të tregjeve financiare dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare për këtë treg, ndërsa shoqërohet me kosto tranzicioni në një afat të shkurtër kohor". Sipas studimit të BB-së, Gjermania dhe një pjesë e Britanisë së Madhe përdorin këtë skemë, duke u dhënë mundësi atyre me paga të larta të derdhin kontributet në kompani private pensioni, në mënyrë që t‘u garantohet masa reale e përfitimit në moshën e tretë. Lidhur me periudhën, drafti i BB-së propozon që punonjësit nga mosha 35 deri 55 vjeç, t‘i derdhin kontributet te privati, pasi në këtë moshë supozohet që të ardhurat të arrijnë maksimumin.

Për sa i përket variantit të tretë ose shtyllës së tretë, është tërësisht private dhe bazohet mbi kapitalizimin fakultativ sipas zgjedhjeve të individëve. Kjo skemë nuk është pjesë e një sistemi të detyrueshëm të taksave të punës, por, nga ana tjetër, nuk i mbulon të gjithë punonjësit dhe kërkon të njëjtën infrastrukturë të tregut financiar. Rezultatet nga zbatimi i këtyre skemave janë parashikuar në dy skenarë. E para, skema del me balancë pozitive në vitin 2014, nëse do të vërehet rritje e madhe e numrit të kontribuuesve dhe e dyta, skema del me balancë pozitive në vitin 2034, për një rritje më të ngadaltë të numrit të kontribuuesve.

E ardhmja

Aktualisht 17 për qind e popullsisë trajtohen me pensione, por, sipas parashikimit të BB-së, në vitin 2075 përqindja e këtij treguesi do të shkojë në 24.8, duke dëshmuar për një plakje të popullsisë shqiptare në perspektivën afatgjatë. "Paralelisht me reduktimin e numrit të kontribuuesve gjatë viteve të tranzicionit, vërtetohet edhe dukuria tjetër negative, ajo e rritjes me ritme shumë të larta e numrit të përfituesve nga skema e sigurimeve shoqërore", tha Bode, duke shtuar se mosha e daljes në pension ka përkeqësuar situatën e shpërndarjes së përfitimit. Numri i kontribuuesve në skemë aktualisht, me gjithë përmirësimet e ndodhura vitet e fundit, është 669 mijë persona. Ndërsa numri i përfituesve të sistemit është 540 mijë persona, nga të cilët 524 mijë janë pensionistë dhe pjesa tjetër janë përfitues të programeve të ndryshme. Kjo detyron qeverinë të marrë masa për zbatimin e reformës në pensione, rezultati i të cilit pritet të shpallet sot.

Deklaratat

BB: Të përkrahet reforma

Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore për Shqipërinë, Camille Naumah, shprehu dje mbështetjen e bankës në procesin e reformave që do të ndërmarrë qeveria shqiptare në sistemin e sigurimeve shoqërore. "Progresi i këtij sektori është zgjidhja më i mirë për të dhënë efekte në ekonomi", shtoi në seminarin "Mbi reformën në pensione". Duke u ndalur në rëndësinë e procesit të reformave në sistemin e sigurimeve shoqërore në Shqipëri, Naumah shprehu besimin për gjetjen e një formule që do të përkrahet nga të gjithë, duke u mbështetur në eksperiencat ndërkombëtare dhe reformat në pensione e kostot e punës.

ISSH: Reduktim të kontributeve

Sipas znj. Evelina Koldashi, drejtore e ISSH-së, instituti ka realizuar një lidhje më të fuqishme midis kontributeve të paguara dhe shumës së përfitimeve lidhur me llogaritjen e bazës së vlerësuar për llogaritjen e pensionit apo të indeksimit të pagës neto, si dhe ka bërë përmirësime ligjore edhe për disa probleme që kanë lindur gjatë praktikës së punës për zbatimin e ligjit, duke kryer reduktimin e mëtejshëm të normës së kontributit, e cila vazhdonte të mbetej e lartë. Masa është reduktuar me 9%, duke e çuar nga 38.5% në 29.5%. "ISSH ka realizuar një përqasje të legjislacionit shqiptar të sigurimeve shoqërore me standardet e Kodit Evropian dhe me Konventën e ILO-s për sigurimet shoqërore", tha Koldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›